Letra të Shahin Kolonjës e Sotir Pecit
Në dosjen e Madhe Nachlass Kral të Arkivit të Ministrisë së Jashtme të Austrisë të periudhës së Austro-Hungarisë (HSSTA) gjinden letra të veprimtarëve të lëvizjes shqiptare për çështje të kulturës, të gjuhës, të alfabetit, apo të lëvizjes për emancipim nga Turqia dhe për çlirim të vendit. Në strukturat e Ministrisë së Jashtme Perandoria Austro-Hungareze kishte dhe një shërbim dhe program të veçantë të quajtur Kultusprotektorat (Protektorat i kultit), shkruan sot Koha Ditore.
Brenda asaj kornize ajo merrej në mënyrë legale me ndihmën e popullatës katolike shqiptare në zonat veriore: me ndihmën në organizimin e mësimit në shkollat fetare në gjuhën shqipe, me botimin e librave dhe të materialit mësimor, etj. Në vitet ‘90 të sh. 19 diplomatë të ndryshëm nga këto struktura kishin vërejtur se në veprimet e tyre ndër shqiptarë duhej zgjeruar rrethi i veprimtarive për të mbështetur lëvizjen e përgjithshme të emancipimit kulturor e kombëtar.
Prandaj diplomatë të ndryshëm të saj ishin udhëzuar të merrnin kontakte sa më të afërta me veprimtarë të kulturës të besimit islam, por gjithnjë në suaza të të lejueshmes brenda raporteve me Perandorinë Osmane, sepse vetëm kështu bëhej kuptimplotë angazhimi i tyre. Në vitet ‘90 e më vonë kontaktet e strukturave të kësaj ministrie me veprimtarët kulturorë shqiptarë ishin zgjeruar, sidomos pas vendosjes për të ndihmuar botimin e gazetës “Albania” të Faik Konicës, po edhe në drejtim të afrimit të përpjekjeve për vendosjen e një alfabeti të përbashkët për të gjithë shqiptarët, përpjekje që lidheshin pashkëputshëm me lëvizjet e përgjithshme emancipuese të shqiptarëve nga Perandoria Osmane.