Nxënësit nuk do të kenë qumësht për një kohë, Ahmetit i anulohet tenderi
Nxënësit në Prishtinë rrezikojnë të mos marrin sasinë e qumështit që rëndom u është ofruar viteve të fundit. Kjo pasi zyra e prokurimit në Komunën e Prishtinës ka njoftuar për anulim të aktivitetit të prokurimit “Furnizimi me qumësht për nxënësit e shkollave – niveli i ulët nga klasa e parë deri në të pestën”.
Komuna e arsyeton anulimin duke u bazuar në faktin se pati vetëm një kompani të interesuar, por që oferta e saj ishte shumë e lartë.
Kësisoj ky tender duhet të nis nga pika zero, dhe nuk do të mund të realizohet edhe disa muaj.
FaktePlus është në pritje të një përgjigje nga Komuna e Prishtinës për të mësuar se cila kompani ka ofertuar tani në tenderin për qumësht dhe me çfarë çmimi.
Ndërkohë, më 11 janar të këtij viti ka skaduar kontrata që Komuna e Prishtinës e ka pasur të lidhur me kompaninë “ABRAZEN” L.L.C, e cila deri më tani ka furnizuar me qumësht shkollat e nivelit të ulët, nga klasa e parë deri në të pestën.
Me 26 nëntor 2018 Komuna hapi tender për furnizim me qumësht, por ky aktivitet i prokurimit u anulua me 03.01.2019, por njoftimi është bërë publik në KRPP për opinion me datë 14 janar 2019.
Ndërsa në arsyetimin e anulimit të këtij aktiviteti të prokurimit komuna ka shënuar se “Të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime të cilat në mase substanciale e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues për aktivitetin e prokurimit”. Numri i tenderëve të pranuar ka qenë vetëm një.
Kontrata që ishte valide, ishte nënshkruar më 11 janar të vitit 2018, dhe sipas dosjes së tenderit ka vlefshmëri fiks 12 muaj. Kjo kontratë peshonte saktësisht 733.698,00 euro, para këto që komuna ia ka paguar kompanisë.
Tenderi i ri për qumësht më i lartë se i fundit e shumë më i lartë se i pari
Zyra e Prokurimit në Komunën e Prishtinës para disa javëve ka hapur tender të ri, por ai nuk do të mund të realizohet edhe disa ditë për shkak të procedurave të Ligjit të Prokurimit Publik.
Ndërkohë shtyrje tjetër mund të shfaqet edhe për shkak të ankesave që mund të bëhen në Organin Shqyrtues të Prokurimit nga kompanitë konkurruese, nëse Komuna nuk procedon me vetëm një ofertues.
Më saktësisht më 26.11.2018 Komuna e Prishtinës ka bërë njoftim për kontratë për “Furnizim me qumësht për nxënësit e shkollave – niveli i ulët nga klasa e parë deri në të pestën”.
Afati për dorëzimin e ofertave ka qenë më i shkurtër se zakonisht dhe për këtë Komuna e Prishtinës ka pasur një arsyetim.
“Pasi që afati kontratës ekzistuese është gati për të skaduar është paraqitur nevoja e shkurtimit të afatit”, thuhet në dosjen e tenderit, respektivisht në nenin IV tek pika 3.3 në dosjen e tenderit.
Edhe në këtë rast kriter kryesor është vendosur “çmimi më i ulët”. Kohëzgjatja e kontratës është shënuar se do të jetë 6 muaj, kurse afati i fundit për pranimin e ofertave ka qenë deri më 20 dhjetor 2018. Vlera e parashikuar e kontratës vetëm për gjashtë muaj është 375.000,00 euro, që për një vit arrin në 750.000,00 euro.
Sipas dosjes së tenderit, Komuna po kërkon 1834245 copë paketime të qumështit 250 ml në ambalazh aseptik të Tetra-Pakut, Yndyra: 2.8g-3.5g, Proteina:min 3.2g, Laktozë:min 4.6g, Kalcium: 120mg, Qumësht i sterilizuar në temperaturë 1370C dhe i homogjenizuar me 2.8%- 3.5% yndyrë.
Çmimi i qumështit sebep i kallëzimit penal ndaj Shpen Ahmetit
Për dallimin e madh të çmimit të qumështit nga kontrata e parë me këto të më vonshmet, gjatë ditës së djeshme aktivistë të Qendrës së Vetëvendosje nga Prishtina dorëzuan në Prokurori kallëzimin penal ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për lidhje të kontratës së dëmshme.
Ky kallëzim penal i dorëzuar në Prokurori nga Vetëvendosje ka të bëjë me dyshimet për keqpërdorime në vlerë prej 530 mijë eurove në tenderët për furnizim me qumësht nga ana e Komunës së Prishtinës.
“Kjo pasi që në vitin 2017 tenderin për furnizim me qumësht e ka fituar Devolli, në vlerë prej 200 mijë eurove, ndërsa vitin 2018 me të njëjtat kushte dhe me të njëjtin afat kohor e ka fituar kompania “ABRAZEN”, në vlerë prej 733 mijë eurove. Pra vlera e keqpërdorimeve është mbi 500 mijë euro, dhe pronar të vërtetë të dy kompanive janë vëllezërit Devolli. Pasi që në kompaninë “ABRAZEN” figurojnë disa persona të autorizuar dhe anëtarë të punësuar të kompanisë Devolli Group, njëri nga ta Ernest Isufi, i cili figuron drejtor në Devolli Group”, kanë thënë aktivistë të Vetëvendosjes.
Kujtojmë se Komuna e Prishtinës që nga viti 2015 e deri më tani shpërndanë çdo ditë nga një pako me qumësht falas për nxënësit e shkollave fillore, respektivisht për klasët I-V./M.B – FaktePlus