Ky është avioni që “mbjellë” re
Tajlanda ka dislokuar avionët e shiut për të “mbjellë” re, në një përpjekje për të luftuar ndotjen që ka mbështjellë kryeqytetin e saj javët e fundit.
Teknika e modifikimit të motit përfshin përhapjen e kimikateve në ajër për të ndihmuar në kondensimin e reve, që në teori duhet të rezultojë në shi. Zyrtarët thonë se shiu pritet të mbërrijë gjatë ditës, pavarësisht se gjithçka varet nga era dhe niveli i lagështisë.
Tajlandezët janë zgjuar sërish të rrethuar nga smogu në Bangkokun e shndërruar në një kantier gjigant ndërtimi. Grupet për mjedisin thonë se qyteti është i dhjeti më i ndotur në botë duke rivalizuar disa qytete në Kinë.
Shkaqet për këtë smog të vazhdueshëm përfshijnë trafikun e rënduar, djegiet e fushave nga fermerët jashtë qytetit, si dhe ndotësit e fabrikave.
Pakënaqësia publike është rritur shumë, ndërkohë që punonjësit e administratës lokale kanë nisur javët e fundit edhe të lagin rrugët me ujë dhe të spërkasin ujë në ajër, në kryeqytet, për të ndihmuar në pastrimin e smogut, ndërsa autoritetet u kanë kërkuar njerëzve të qëndrojnë në ambiente të mbyllura.