Kompania e Shpend Ahmetit që 5 vjet ka veç një emër dhe asgjë tjetër
Janë mbushur 20 vite që nga pas lufta dhe kryeqyteti vazhdon të përballet me numër të madh të automjeteve që ende detyrohen të parkohen nëpër trotuare dhe në hapësira private, të cilat janë improvizuar si parkingje vetëm sa për të mbledhur para nga qytetarët.
E gjithë kjo situatë po vazhdon ende pasi kryetarit aktual të Prishtinës, Shpend Ahmeti, nuk i doli premtimi i fushatës zgjedhore që e bëri për parkingje edhe sa ishte nën petkun e Lëvizjes Vetëvendosje.
Ahmeti ishte zotuar se Kompania Publike “Prishtina Parking” që u themelua në vitin 2014, do të jetë funksionale në janar të vitit 2018, por kjo nuk do të jetë e mundur të realizohet, shkruan FaktePlus.
Funksionalizmi i kësaj kompanie nuk është i afërt sepse ende është i hapur konkursi për emërimin e Bordit të Drejtorëve. Ky konkurs do do të mbyllet me datë 18 janar 2018.
Zyra për informim e Komunës së Prishtinës nuk ka dashur të përgjigjet se kur do të përzgjidhet stafi civil për këtë kompani, dhe se, sa do të jetë numri i tyre.
Si do qoftë, për të përcjell procesin lidhur me këtë ndërmarrje ekziston Komisioni i komunal i aksionarëve, i përbërë prej asamblistëve Drilon Pireva nga PSD-ja, Eman Rrahmani nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Gëzim Mehmeti, i cili mban pozitën e drejtorit në drejtorinë e Investimeve Kapitale nga radhët e AKR-së.
Asamblisti i Vetëvendosjes, Eman Rrahmani tha se kompania “Prishtina Parking” e cila është themeluar nga Shpend Ahmeti në vitin 2014, deri më tani është vetëm emër dhe asgjë më shumë.
“Para disa muajve është emëruar një bord prej 4 anëtarëve në NPL Prishtina Parking jashtë ligjshëm nga Aksionarët Drilon Pireva, çuditërisht para disa dite e pash se është shpallur konkurs pikërisht për këto pozita. Edhe ky konkurs është shpallur në mënyrë jo ligjore dhe nuk dihet se në bazë të cilit vendim është shpallur. Unë si aksionar në këtë ndërmarrje nuk jam njoftuar për shpalljen e këtij konkursi e që është i obliguar të thirret mbledhja e të njoftohemi për mbledhje e pastaj të merret një vendim i tillë. Kjo ndërmarrje deri tani është vetëm emër dhe nuk ka asnjë staf”, tha Rrahmani për FaktePlus.
Kujtojmë se qysh në shtator të 2014-ës, Kuvendi Komunal i Prishtinës kishte miratuar propozimin për themelimin e ndërmarrjes publike lokale “Prishtina Parking”.
Ky vendim për një kohë ishte kontestuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, e për çka i pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, atëkohë e akuzonte qeverinë në nivel qendror për bllokadë.
Përfundimisht në mars të 2016-ës, Qeveria kishte aprovuar themelimin e kësaj ndërmarrjeje, mirëpo edhe pse janë bërë gati tri vjet që nuk ka pengesa nga niveli qendror, “Prishtina Parking” nuk u funksionalizua dhe ende mbetet vetëm ndërmarrje në letër.
Premtimi i shkelur dhe detyrat e operuese të kompanisë
Shpend Ahmeti edhe në zgjedhjet e vitit 2017 kur ishte në garë për një mandat tjetër për kryetar të Prishtinës kishte dhënë zotime e përmendte edhe data për funksionalizmin e Kompanisë “Prishtina Parking”.
Tek 100 zotimet që i ka dhënë gjatë fushatës e të cilat janë të publikuara, ai thoshte se: “Në vitin 2016 Prishtina ka arritur të krijojë Ndërmarrjen Publike Prishtina Parking, dhe edhe pse të gjitha përgatitjet janë përfunduar, problemet në Kuvendin Komunal kanë pamundësuar fillimin e punës. Por, në janar 2018 do të funksionalizohet Ndërmarrja Publike “Prishtina Parking”.
Në vijim mund t’i shihni zotimet e kryetarit Shpend Ahmeti lidhur me operimin e Kompanisë “Prishtina Parking” dhe zonave që ajo pritët të veprojë kur të jetë ndonjëherë funksionale./FaktePlus