Vitin e ardhshëm do të rritet numri i pjesëtarëve të Njësisë Speciale
Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj tha se vitin e ardhshëm do të rritet numri i pjestarëve të Njësisë Speciale.
Edhe pse tha se kurohet kosto shtesë për blerjen e pajisjeve, drejtori shpreson të marrë mbështetjen për këtë kërkesë.
Qalaj në Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, duke raportuar punën pas marrjes së mandatit tha se ka kërkuar auditim të brendshëm në fushën e financave, prokurimit dhe logjistikës.
“Që nga marrja e detyrës si drejtor i Policisë kam kërkuar një auditim të brendshëm në fushën e financave, prokurimit dhe logjistikës në mënyrë që ta dimë gjendjen reale dhe të i hartojmë prioritetet në polici, po ashtu implementimi i udhëzimeve në respektimin e orarit të punës dhe orari në polici është qind për qind dhe nuk kemi më dukuri të policëve në kateteri, në objekte fetare në orarin e punës etj”, tha Qalaj.
“Kemi bërë rritjen e kapaciteteve të reagimit të shpejtë, kemi rrit kapacitetet e Njësive Speciale dhe intervenuese dhe kemi konstatuar se numri aktual është i pamjaftueshëm për të kryer një operacion kur është e nevojshme dhe kemi situata të paparashikuara kjo kushton si në pajisje dhe vetura, por kjo nevojitet dhe besoj se do të i kemi deri në fund të vitit të ardhshëm”, tha ai.
“Fokusi kryesor i Policisë do të vazhdojë të mbetët luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
Anëtari i komisionit, deputeti i VV-së Rexhep Selimi kërkoi që të kenë bashkëpunim dhe gjatë mandatit të i përshpejtojë ligjet për Policinë që të vijnë në Kuvend.
Selimi kërkoi arsyen se pse është suspenduar një zyrtar policor në rastin kur i ka publikuar të dhënat për drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës, raporton EO.
“Kërkojmë nga ju shpjegim për suspendimin e zyrtarit të policisë kur i ka publikuar të dhënat për drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës”, tha Selimi.
“Nga aspekti medial, mediat e trajtojnë si interes medial, por ka ndodhë për shkak të qasjes të mosautorizuar në të dhënat personale dhe çdo qasje duhet të jetë personi i autorizuar dhe arsyeja pse ka hyrë në sistem, ai ka pas disa hyrje në sistem që i ka arsyetuar”.
“…por në një rast hyrjen për 18 sekonda nuk ka mundur ta arsyetoj dhe është dyshuar dhe konstatuar se ai ka ndërhy ka nxjerr informata nga data baza të paaurizuar, ai është suspenduar për mos autorizim dhe jo që ka nxjerr informatën”.
Zyrtari policor, Afrim Karaxha, ishte raportuar se është suspenduar nga puna me dyshimin se ka zbuluar për media që Shpëtim Maxhuni, djali Shpend Maxhunit, shefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, është përfshirë në një rast penal.
Por drejtori i Policisë, Rashit Qalaj, ka thënë se nuk ka qenë kjo arsyeja e suspendimit.
“Nuk është suspenduar se ai i ka njoftuar mediat për rastin, por se ka hyrë në mënyrë të paautorizuar në sistemin e të dhënave”.
“Ai ka hyrë disa herë në këtë sistem dhe të gjitha ato i ka arsyetuar, por nuk ka mundur ta arsyetoj edhe një hyrje 18 sekondëshe. Pasi këto informata janë shumë të klasifikuara, është konstatuar se ai i ka nxjerrë disa nga ato”.