Rahovica e Preshevës në kohën e Dardanisë antike
Një shtrëngatë e fuqishme që kishte përfshirë zonën nga po kalonte ushtria e bastarnëve në viset e Trakisë së lashtë, sikur ishte paralajmërim për ushtrinë edhe vetë prijësin e tyre Klondikun, se planet e tyre për shfarosjen e dardanëve nuk do të realizoheshin ashtu siç ishin premtuar nga Filipi V i Maqedonisë, shkruan sot Koha Ditore.
Ky i fundit duke e përpjekur që t’i hiqte qafe njëherë e përgjithmonë dardanët, iu drejtua për ndihmë fisit të bastarnëve, që ishte njëri nga fiset më luftarake dhe më të vrazhda, por me një organizim ushtarak të qëndrueshëm të kohës. Filipi V e kishte bindur Klondikun e bastarnëve, fis ky që rronte në zonat e Danubit të Poshtëm, se pas ngadhënjimit mbi dardanët ata do të mundë të vendoseshin në viset e pëlleshme të Dardanisë. Shtrëngata e fuqishme kishte shkaktuar shkapërderdhje në radhët e bastarnëve.
“Atëherë lindi përçarja, disa kërkuan që të ktheheshin prapa, ndërsa një pjesë e tyre kërkoi që rrugëtimi të vazhdohej drejt Dardanisë. Rreth tridhjetë mijë bastarnë arritën në krahinën e Dardanisë, ndërsa të tjerët u kthyen prapa”, shkruan Tit Livi.
Ishte dimri i vitit 175 para Krishtit, kur bastarnët iu afruan zonës së Luginës së Preshevës së sotme. Të gjetur para luftës së pashmangshme, që tanimë po iu trokiste në dyert e tyre, ushtria dardane u nda na dy pjesë. Njëri krah i luftëtarëve dardanë kreu sulmin e pasuksesshëm drejtpërdrejt përballë bastarnëve të acaruar, mirëpo megjithatë luftëtarët dardanë arritën që t’i tërhiqnin ata në fushën e gjerë të luftimeve. Ndërsa krahu tjetër i dardanëve nisi lëvizjet qarkore me qëllim që t’iu binte nga prapa luftëtarëve bastarnë, që ishin dalldisur nga suksesi që kishin korrur në fushën e luftës.