“Pas Pavarësisë, nesër është dita dhe festa më e madhe”
14 dhjetori, data kur pritet që FSK-ja të shndërrohet në Ushtri, shënon edhe 20 vjetorin e rënies të Mujë Krasniqit i njohur si komandant “Kapuçi” dhe 40 ushtarëve të tjerë të UÇK-së që ranë heroikisht kur ranë në një pritë nga forcat serbe, në Gorozhub të Prizrenit, afër kufirit Kosovë-Shqipëri.
Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së dhe ish-bashkëluftëtari i Mujë Krasniqit, Xhevdet Qeriqi, ka thënë se ka emocione çdo 14 dhjetor.
“Sa herë vjen kjo datë, ky përvjetor, emocionet janë më të mëdha – kujtojmë sakrificën, ditë të vështira, bashkëluftëtarët tanë, kujtojmë shumë gjëra që kemi kaluar gjatë luftës bashkë me ta”.
“Së fundmi është bërë një punë e mirë – ka qenë një angazhim dhe kërkesë e vazhdueshme e imja tek institucionet derisa më në fund është ndërtuar një pllakë përkujtimore në nderim të atyre dëshmorëve”.
“Në këtë 20 vjetor, pikërisht nesër po ndryshohet mandate i FSK-së, po bëhemi ushtri dhe janë në një formë emocione të përziera për arsye se kujtojmë ata bashkëluftëtarë që kanë derdhë gjak, janë flijuar për këtë tokë dhe nesër kemi ditë feste – jemi me emocione”.
“Pas Pavarësisë është dita dhe festa më e madhe”.
Qeriqi në Klan Kosovës ka thënë se ndryshimi i mandatit të FSK-së pikërisht në përvjetorin e Betejës së Pashtrikut është një nder për dëshmorët e rënë për liri.
“Krijimi i Ushtrisë ditën e nesërme, pikërisht në 20 vjetorin e Betejës së Pashtrikut, nderon dëshmorët, familjet e tyre dhe neve si bashkëluftëtarë të tyre që kemi dhënë kontribut të përbashkët për këtë liri që po e gëzojmë sot”.