Institucioni i Kosovës që konteston matjet momentale të ambasadës së SHBA-së
Ditëve të fundit ndotja e ajrit i ka tejkaluar normat e lejuara. Kësisoj në orët e mbrëmjes, veçmas në Prishtinë po vije era gaz e përzier me erë të thëngjillit. Qytetarët u larmuan më së shumti kur në mbrëmjen e datës 3 dhjetor matësi i cilësisë së ajrit i vendosur në Ambasadën Amerikanë në Prishtinë tregoi se vlerave standarde me PM 10 dhe PM 2,5, arriti deri në 500, që cilësohet si ajër helmues, shkruan FaktePlus.
Por, kjo e dhënë duket se nuk e ka shqetësuar Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) që vepron në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Kjo pasi, sipas kësaj Agjencie, matja e ajrit në atë kohë ka qenë momentale dhe se vlera mesatare për 24 orët e asaj ditë tregon për një vlerë shumë më të ulët.
Megjithëkëtë, në Agjenci kanë pranuar se në fillimin të dhjetorit u regjistrua ndotja më e madhe gjatë këtyre ditëve.
“Vlerësimi i cilësisë se ajrit nuk bëhet në bazë të vlerave momentale të regjistruara nga stacionet monitoruese për një parametër të caktuar, por në bazë të vlerave maksimale të lejuara 24 orëshe. Lidhur me tejkalimin e PM10, ne mund të konfirmojmë që në datën të cilën i referoheni dhe në dy ditët paraprake ka pasur tejkalime të PM 10 dhe kanë qenë mesataret 24 orëshe më të lartat të regjistruara gjatë këtij viti”, thuhet në përgjigjen e Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës për FaktePlus.
Tutje Agjencia ka treguar se të dhënat për tejkalimet 24 orёshe për datat 01-03 të muajit dhjetor të këtij viti, për stacionin matës në Prishtinë/IHMK i cili është i vendosur tek objekti i ish- Rilindjes tregojnë se me datë 1 dhjetor cilësia ka qenë 150 PM1, kurse me datë 2 dhjetor ka qenë 153 dhe me datën 3 është regjistruar më e larta për 24 orët, duke arritur në 168.
AMMK thotë se të dhënat online nga rrjeti i monitorimit të cilësisë së ajrit qytetarët mund t’i gjejnë në ueb aplikacionin Kosova Air Quality, i cili aktualisht është ne fazën testuese dhe është donacion i zyrës se Bashkimit Evropian, i realizuar përmes një kompanie implementuese të kontraktuar nga zyra e BE-së.
Agjencia thotë se kur temperaturat do të jenë të ulëta, cilësia e ajrit do të jetë me e komplikuar.
“Sikurse edhe vitet e mëhershme pritet të regjistrohen tejkalime kryesisht gjatë sezonit të dimrit, veçanërisht gjatë ditëve me mjegull dhe kur shpejtësia e erës do të jetë shumë e ulët, ose në rastet kur do të ketë rritje të përdorimit të lëndëve djegëse për shkak të temperaturave të ulëta”, thuhet tutje në përgjigjen e AMMK-së./M.B -FaktePlus
AMMK ka treguar se ka të vendosur 10 stacione monitoruese për cilësinë e ajrit në të gjithë Kosovën.
Normat e cilësisë së ajrit sipas Udhëzimi Administrativ Nr.02/2011 e ofruar nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) për FaktePlus.