Hoxha përsërit rëndësinë e përkrahjes së Çekisë për Kosovën
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha e ka pritur në takim sot të ngarkuarin me punë në Ambasadën e Çekisë në Kosovë, Pavel Bilek, me të cilin diskutuan për thellimin e bashkëpunimit dhe procesin integrues.
Çekia ka qenë përkrahëse e vazhdueshme e shtetësisë së Kosovës, potencoi ministrja Hoxha, me ç’rast vlerësoi edhe përkrahjen e fundit në Parlamentin Evropian dhe Interpol, me votën pro të këtij vendi mik.
“Ne sot gjendemi para një sfide të re, sfidës së liberalizimit. Përkundër realizimit të të gjitha kushteve për liberalizim, ne mbesim i vetmi vend i privuar nga e drejta themelore, lëvizja e lirë”, citohet të ketë thënë ministrja Hoxha gjatë takimit.
Kurse i ngarkuari me punë i Ambasadës së Çekisë, Pavel Bilek vlerësoi lartë plotësimin e të gjitha kushteve për liberalizim dhe rikonfirmoi përkrahjen e Çekisë në të gjitha proceset që po kalon Kosova, me theks të veçantë, procesin integrues, reformat nga Agjenda Evropiane si dhe dialogun si një nga vlerat e Bashkimit Evropian.
Mes tjerash bëhet e ditur se ministrja Hoxha dhe ambasadori Bilek, u dakorduan se Kosova dhe Çekia kanë vullnet dhe gatishmëri të thellojnë bashkëpunimin e ndërsjellë, duke marrë përvojat integruese, përkrahjen për Kosovën për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, por edhe bashkëpunimin e gjithanshëm, si dy vende mike./FaktePlus