Rekomandimet për cilësinë e ajrit Prishtina i la në letër
Ndotja e ajrit në kryeqytet vazhdon të jetë alarmante. Me të nisur java qytetarët e Prishtinës u përballen me ndotjen më të lartë të ajrit në glob. Bazuar në të dhënat e matësit të Ambasadës Amerikane për cilësinë e ajrit, dy ditë më parë në orët mbrëmjes ndotja ka shkruar deri në 493 PM, e që shkencërisht konsiderohet helmuese.
Për çështjen e cilësisë së ajrit me fillim të këtij viti, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka dalë me disa rekomandime, por të cilat nuk janë zbatuar aspak. Përfaqësues të opozitës në Prishtinë thonë se Qeveria e Shpend Ahmetit po qëndron vetëm spektatore kundrejt kësaj situate. Sipas tyre, kryetari Ahmeti i la vetëm në letër gjithë ato obligime.
Këto rekomandime përfshinë mbjelljen e fidanëve, zgjerimin e rrjetit të ngrohjes, hartimin ne programit për vetëdijesimin publik mbi ndotjen e ajrit për vitin 2018 /2019, dhe shumë masa e aktivitete tjera.
Asamblisti radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani thotë se komuna nuk po bënë thuajse asgjë që të këtë përmirësim të cilësisë së ajrit në kryeqytet.
Ai thekson se në sezonin pranveror janë proklamuar që janë mbjell rreth 800 fidanë të dhuruara nga bizneset, por që në realitet janë mbjell vetëm 300 copë.
“Ato rekomandime nuk po zbatohen. Mbi 500 fidanë janë keqpërdorur dhe u janë dhënë personave privat edhe ato kanë qenë të dhuruara nga bizneset e jo të Komunës. Në këtë vit ajri është shumë më i ndotur. Komuna nuk po mund të pastrojë as rrugët, diku për rreth 6 muaj nuk ka pasur kontratë për këtë punë. Ka ndërtime të shumta të pa kontrolluara që po bëhen… Katër parqe janë premtuar për vitin 2018, asnjë nuk është bërë. Kështu që të gjitha këto mund të ndikojnë në prishjen e cilësisë së ajrit e Komuna mund të ndërhyjë se është fare lehtë”, tha Rrahmani.
Edhe asamblisti i LDK-së, Shefki Gashi thotë se rekomandimet e Kuvendit Komunal kanë qenë obligative për ekzekutivin, por qe pushteti komunal, siç thotë ai, është treguar i pa aftë t’i jetësojë ato.
“Kuvendi e ka kryer punën e këta nuk kanë nis akoma t’i zbatojnë ato rekomandime. Send hiq nuk kanë bërë. Te paktën kanë mundur që ta sjellin në Kuvend, miratimin e rregullores për shitjen dhe përdorimin e lëndëve djegëse, ashtu siç ka qenë një rekomandim. As nuk kanë mbjell drunj, as nuk ka bërë parqe të reja. As me Ministrinë e Ambientit nuk po bashkëpunojnë për këtë punë. Edhe kjo dihet pse, sepse është menaxher i dështuar, veç shihni si janë investimet kapitale edhe e gjeni përgjigjen e gjitha këtyre. Gjysma e buxhetit po i tepron”, tha Gashi për FaktePlus.
Zyra për komunikim me publikun në Prishtinë nuk ka dashur të prononcohet lidhur me atë se deri ku ka shkuar zbatimi i këtyre rekomandimeve.
Kujtojmë se Komuna e Prishtinës ka pesë pika për matjen e cilësisë së ajrit, por nuk dihet nëse po punojnë, pasi komuna nuk po i publikon në ueb-faqen e saj, ndonëse e ka vegëz për këtë punë. Qytetarët vazhdojnë të informohet për gjendjen e ajrit nga matjet e ambasadës së ShBA-së në Prishtinë.
Megjithëkëtë, pasi u përmirësua cilësia e ajrit të mërkurën ka reaguar në një postim në rrjetin social Facebook kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili më shumë ka shkruar se çfarë duhet të bëhet dhe jo për atë se çfarë është bërë.
Sipas Ahmetit, për të përmirësuar cilësinë e ajrit duhet të punohet gjatë gjithë vitit.
“Zgjidhja afatgjatë për përdorimin e qymyrit për ngrohje është ngrohja qendrore dhe kogjenerimi. Kjo mund të bëhet me dyfishimin e kapaciteteve të kogjenerimit në KEK. Kosto e instalimit të pajisjeve 24.8 milionë euro dhe vendimi politik. Pastaj vjen edhe kosto e zgjerimit të rrjetit në dhjetëra miliona euro. Momentalisht Termokos është në proces të tenderimit të zgjerimit të rrjetit aktual dhe kapaciteteve aktuale. BE ka zotuar edhe 13 milionë për dyfishimin e kapaciteteve. Me vullnet politik dhe financim brenda 5 – 7 viteve do të mund të kyçet krejt qyteti në rrjet”, ka shkruar ai.
Për përmirësimin e cilësisë së ajrit, Ahmeti ka thënë se po behën investime në transportin publik dhe mbyllja graduale e disa rrugëve në qendër.
“Janë investuar mbi 11 milionë euro në transport publik, por kjo nuk mjafton. Tani kalojmë në fazën e investimeve në sektorin privat. Investime në efiçiencë të energjisë…. Së shpejti nënshkruajmë fazën e dyte të investimeve në ndërtesat publike për të zvogëluar konsumin e energjisë elektrike. Kemi bërë investimet nëpër shkolla dhe institucione tjera dhe më nuk ka institucione që ngrohen me qymyr. Rritja e hapësirave të gjelbra – kemi shtuar numrin e drunjve që mbjellim për çdo vjet në 7 mijë. Po investojmë nëpër parqe për të shtuar edhe më tutje hapësirat”, shtoi tutje ai kryetari i Prishtinës.
Më poshtë mund të shihni rekomandimet për qeverinë e Shpend Ahmetit të dhëna nga Kuvendi Komunal në fillim të vitit, disa prej të cilave i kishte propozuar vetë kryetari Ahmeti.
Komuna në bashkëpunim me MMPH-në të bëjnë studimin shkencor dhe profesional për shkaktarët e ndotjes dhe propozimin e masave për përmirësimin e gjendjes. (Nuk ka filluar)
- Të bëhet zgjerimi i rrjetit të ngrohjes se qytetit “Terkokos”, si dhe të hartohet plani për ngrohjen e lagjeve të cilat nuk mund të lidhen më këtë rrjet. (Është në proces)
- Të hartohet programi i vetëdijesimit publik mbi ndotjen e ajrit për vitin 2018 /2019. ( Nuk ka filluar)
- Të hartohet një rregullore për shitjen dhe mënyrën e përdorimit të lëndëve djegëse në territorin e Komunës së Prishtinës. (Nuk është bërë)
- Të bëhet mbjellja e 50.000 drunjve. (mbjellja e drunjve ka filluar vetëm në fund të muajit nëntor, pas problemeve me tender)
- Shkollat fillore dhe të mesme të bëjnë aktivitete vetëdijesuese që kanë për qëllim mbrojtjen e mjedisit. (Nuk është bërë)
- Komuna në Bashkëpunim me MMPH-në të bëjnë shtimin e numrit të stacioneve matëse të cilësisë së Ajrit. (Nuk është bërë)
- Të bëhet shtimi i sipërfaqeve të gjelbëruara dhe krijimi i shtigjeve për biçiklist. (Nuk janë bërë, janë në proces tenderues, ndërsa për shtigjet të biçiklistëve është thënë se do të investohet në mot)./FaktePlus