Liderët botërorë kërkojnë stabilitet në Siri pas rrëzimit të al-Assadit
Pas marrjes në kontroll të Damaskut nga forcat rebele të dielën, kur u shënua fundi i sundimit autokratik prej dekadash të Bashar al-Assadit, kanë reaguar edhe udhëheqësit botërorë.
Pavarësisht se iu gëzuan zhvillimeve të fundit, liderët botërorë janë të vetëdijshëm se një vakum pushteti në rajon mund të hapë mundësinë për paqëndrueshmëri të mëtejshme.
Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka quajtur këto zhvillime momente rreziku dhe pasigurie për Lindjen e Mesme.
Kryeministri britanik Keir Starmer përshëndeti fundin e sundimit të Asadit teksa bëri thirrje për paqe dhe mbrojtjen e civilëve.
“Populli sirian ka vuajtur nën regjimin barbar të Asadit për një kohë të gjatë dhe ne e mirëpresim largimin e tij”, ka thënë Starmer. Ai shtoi se Mbretëria e Bashkuar fokusohet në një zgjidhje politike për të rivendosur paqen dhe stabilitetin, raportoi “Euronews”.
Irani, i cili e ka mbështetur fuqishëm qeverinë e rrëzuar të presidentit Bashar al-Assad, thotë se sirianët duhet të vendosin për të ardhmen e vendit të tyre “pa ndërhyrje shtrënguese dhe të huaja”.
Irani ka qenë një mbështetës i vendosur i Asadit gjatë gjithë luftës civile gati 14-vjeçare.
Duke reaguar ndaj rënies së qeverisë së Bashir al-Assad, kancelari gjerman Olaf Scholz tha të dielën se ajo që ka rëndësi tani është që ligji dhe rendi të rivendosen shpejt në Siri.
“Populli sirian ka përjetuar vuajtje të tmerrshme. Prandaj, fundi i sundimit të Asadit mbi Sirinë është një lajm i mirë”, ka thënë kancelari. “Ne do t’i gjykojmë sundimtarët e ardhshëm nëse ata bëjnë të mundur që të gjithë sirianët të jetojnë me dinjitet dhe vetëvendosje, të mbrojnë sovranitetin e Sirisë kundër ndërhyrjeve keqdashëse nga palët e treta dhe të jetojnë në paqe me fqinjët e tyre”, ka shtuar Scholz.
Edhe shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas e ka quajtur zhvillim pozitiv dhe të shumëpritur fundin e diktaturës së Asadit.
“Kjo tregon gjithashtu dobësinë e mbështetësve të Asadit, Rusisë dhe Iranit. Prioriteti ynë është të garantojmë siguri në rajon. Do të punoj me të gjithë partnerët konstruktivë, në Siri dhe në rajon”, ka thënë ajo.
Ndërsa presidenti francez, Emmanuel Macron, ka uruar popullin sirian duke thënë se dëshiron që t’i shoh në liri dhe unitet.
“Franca do të mbetet e përkushtuar ndaj sigurisë së të gjithëve në Lindjen e Mesme”, ka shtuar ai.
Edhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, i është përgjigjur krizës së vazhdueshme në Siri në rrjetet sociale.
“Jam duke monitoruar nga afër situatën në Siri dhe jam në kontakt të rregullt me ambasadën tonë në Damask dhe zyrën e kryeministrit. Kam thirrur një takim urgjent në orën 10:30 në Ministrinë e Jashtme.” tha Tajani në një postim në X.