Si përshkruhet shpërthimi i eksplozivit në kanalin e Ibër-Lepencit në dosjen e Prokurorisë?
Rreth orës 18:50, më 29.11.2024, dyshohet se shpërtheu eksplozivi i vendosur në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok.
Shpërthimi e dëmtoi kanalin, me ç’rast u ndal furnizimi me ujë, ndërsa rrezikohej edhe ndalimi i prodhimit të energjisë elektrike për shkak se KEK-u furnizohej nga ai kanal me ujë për të ftohur turbinat e termocentraleve. E një nga të dyshuarit për këtë vepër penale është edhe Dragisha Viqentijeviq, i cili ndaj të cilit Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.
Sipas Prokurorisë, me veprimet e tij Viqentijeviq po dyshohet se kreu veprën penale të rrezikimit të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike. Ndërsa gjatë bastisjes në shtëpinë e tij u gjetën edhe armë e municion e që edhe për këtë çështje Prokuroria po e ndjek edhe për armëmbajtje pa leje.
Viqentijeviq është njëri nga personat të cilët u arrestuan më 30.11.2024 nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka gisht në shpërthimin që ndodhi në kanalin e Ibër-Lepencit.
Ai u ndalua më 30.11.2024 në orën 06:45, ndërsa më 01.12.2024 është mbajtur seanca për caktimin e masës së sigurisë. Prokuroria Speciale kishte kërkuar masën e paraburgimit e Gjykata e Prishtinës- Departamenti Special e ka caktuar këtë masë – paraburgim për 30 ditë.
Dosja e kallëzimit penal, të siguruar KALLXO.com, thotë se Viqentijeviq pretendohet se më 29.11.2024 rreth orës 18:50 në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, në pjesën e kanalit të Ibër-Lepencit, i cili përdorej për furnizimin me ujë të pijshëm për qytetarët dhe me ujë furnizues për nevoja të termocentraleve të Kosovës për furnizim me energji elektrike kishte përdorur eksploziv me dashje që të dëmtojë pajisjet publike të ujit.
Dosja përshkruan se direkt në pjesën anësore të kanalit në strukturën e betonit ishte vendosur eksplozivi dhe nga shpërthimi si pasojë dëmtohet rëndë kanali dhe pamundësohet furnizimi i mëtejshëm me ujë i qytetarëve por edhe i termocentraleve të KEK-ut, duke rrezikuar edhe furnizimin me energji elektrike në nivel vendi.
Me këto veprime, Prokuroria po pretendon se Dragisha Viqentijeviq ka kryer veprën penale të rrezikimit të rendit kushtetues me shkatërrim apo dëmtim të instalimeve dhe pajisjeve publike.
Tutje dosja përshkruan se më 30.11.2024 rreth orës 06:45 në Zubin Potok, respektivisht në shtëpinë e Viqentijeviqit, gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar dy “Kallashnikovë”, një pistoletë, tri “Zola” të mbushura dhe tri të zbrazëta, tri granata dore si dhe 100 copë municion të ndryshëm.
Një tjetër pikë për të cilën Prokuroria Speciale ka thënë se Viqentijeviq duhet të shkojë në paraburgim është edhe ajo se rrezikohet që i njëjti të përsërisë veprën penale pasi që kanali i Ibër-Lepencit është vijë e gjatë infrastrukturore që e bën të pamundur monitorimin 24 orë nga organet e rendit.
Mbrojtësi i të pandehurit në këtë rast, avokati Millosh Delleviq, në seancën për caktimin e masës së sigurisë, ka kërkuar që masa të refuzohet pasi që ndaj klientit të tij nuk ka dyshim të bazuar se ka vepruar duke vendosur eksplozivin në kanalin i Ibër- Lepencit.
Delleviq ka thënë se nuk e di pse çështja e armëve i është lidhur klientit të tij me pikën e parë atë të veprës për kryerjen e veprës terroriste.