Tentoi t’u japë policisë 10 euro ryshfet për gjobën, arrestohet i dyshuari në Gjakovë
Një drejtues automjeti është kapur në përpjekje për t’u dhënë ryshfet prej 10 eurosh policëve në Gjakovë, kjo në mënyrë për të shmangur gjobën.
Incidenti sipas policisë thuhet të ketë ndodhur të premten që e lëmë pas, kur zyrtarët e Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor, gjatë një kontrolli rutinë në fshatin Korenicë, ndaluan automjetin e drejtuar nga një shtetas shqiptar i lindur në vitin 1993 për tejkalim të shpejtësisë, transmeton klankosova.tv.
Gjatë procesit të legjitimimit, drejtuesi i mjetit tentoi të ndikonte në veprimet e policisë duke ofruar një shumë prej 10 eurosh, një përpjekje e cila përfundoi me arrestimin e tij dhe shoqërimin në stacionin policor.
Kartëmonedha e ofruar është sekuestruar si provë materiale, dhe me urdhër të prokurorisë është hapur një rast për “dhënie ryshfeti”.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka deklaruar përkushtimin e saj për ruajtjen e integritetit dhe transparencës, duke bërë të qartë se toleranca për raste të tilla është zero.