Qeveria dhe BE-ja “ping-pong” me Asociacionin!
Bashkimi Evropian i ka reaguar Qeverisë së Kosovës e cila draft-statutin e Asociacionit të propozuar nga Evropianët e ka quajtur një nga propozimet e shumta që nuk ka nënshkrim dhe i cili nuk është pranuar nga kryeministri Kurti. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ia rikujtoi Qeverisë se Kurti e ka pranuar draftin evropian me pranimin e zbatimit të marrëveshjes bazë për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Sipas tij, themelimi i Asociacionit është obligim i paplotësuar i Kosovës që rrjedhë edhe nga marrëveshja e vitit 2013 e cila është ratifikuar në Kuvend.
“Në tetor 2023, në përpjekje për të çuar përpara procesin e normalizimit, BE-ja e mbështetur nga shtetet anëtare dhe partnerët e saj si SHBA-ja prezantoi një projekt-statut evropian për krijimin e Asociacionit bazuar në modelet dhe praktikat më të mira evropiane, gjithashtu. si kornizë ligjore e Kosovës, të cilën të dyja palët e kanë pranuar në parim. Ne i bëjmë thirrje Kosovës që të ecë përpara me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë në përputhje me Draft Statutin e BE-së pa vonesa të mëtejshme. BE-ja dëshiron gjithashtu të rikujtojë se Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit është e vlefshme dhe ligjërisht e detyrueshme në tërësinë e saj si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë”, tha Stano
Qeveria e Kosovës e sheh tepër të vonuar kërkesën e BE-së për themelimin e Asociacionit mbi draftin evropian. Zëdhënësi, Përparim Kryeziu, rikujton se kryeministri Kurti ishte i gatshëm vitin e kaluar për nënshkrimin e pakos së marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ku bënë pjesë edhe Asociacionit, por sipas tij, ishte refuzuar.
‘’Prandaj, nuk mundemi që një vit pas takimit të tetorit të vitit të kaluar, në të cilin refuzohet oferta jonë për nënshkrimin e paketës, të nxjerrim draft statutin e BE-së nga paketa e ta hedhim paketën e njohjes se paku de facto reciproke. Statusi i draft statutit është ai i një non-paper, njëri ndër disa propozimet që janë bërë në vitet e kaluara”, tha Kryeziu për rtv21.
Shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari, kërkon nga BE-ja të sanksionojnë Serbinë për shkelje të marrëveshjes.
‘’Qeveria është dakorduar me marrëveshjen, por shkeljet po bëhen nga Serbia. Sa i përket çështjeve të procedurës së zbatimit janë institucionet sovrane të cilat janë në gjendje që t’i kryejnë punë e tyre kushtetuese”.
Ndërkohë, opozita konsideron se Qeveria ka ndryshuar qëndrimet e saj për draftin Evropian për Asociacionin. Thonë se Qeveria e ka pranuar ligjërisht zbatimin e Asociacionit i cili është më i dëmshëm sesa ai i vitit 2013.
“Një herë thonë e pranojmë, herën tjetër nuk e pranojmë, herën tjetër kërkojnë nënshkrimin dhe tash thonë nuk e pranojmë. Po bëhen lojëra të cilat po e dëmtojnë në vazhdimësi Kosovën si rezultat i papjekurisë politike”.
‘’Kjo Qeveri e ka pranuar Asociacionin. Është pranuar dhe Asociacionin na e kanë lënë të dera. Kushdo që të vjen, kjo Qeveria ia ka lënë të dera marrëveshjen e Brukselit, marrëveshjen e Ohrit dhe draft-statutin e Asociacionit”.
Kosova është kushtëzuar në rrugën e integrimeve evropiane me themelimin e Asociacionit dhe kjo është evidentuar në Raportin e Progresit për këtë vit. Komisioni Evropian ka kërkuar përparim në themelimin e Asociacionit si kusht për përfitimet e Kosovës nga fondi i Planit të Rritjes i BE-së dhe për përafrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian.