Kapet drogë në Pejë e Prishtinë, arrestohen dy persona e sekuestrohen katër vetura
Policia e Kosovës i ka sekuestruar 100 kilogramë drogë të dielën, në një operacion policor të Drejtorisë së Antidrogës në Pejë dhe në Prishtinë.
Në fshatin Raushiq të Pejës janë gjetur dhe sekuestruar 213 bimë që po thaheshin, ka njoftuar Policia e Kosovës të dielën.
Ndërsa, në fshatin Barilevë të Prishtinës është gjetur një sasi më e vogël, derisa janë arrestuar dy persona dhe janë sekuestruar katër vetura.
Prokuroria Themelore në Pejë i ka thënë KOHËS se njëra pjesë e drogës është kapur në një fermë të pulave.
“Operacioni policor është realizuar në një qendër tregtare në rr. Magjistrale Pejë-Deçan dhe ka rezultuar me arrestimin e dy personave të dyshuar shtetas të RKS-së. Pas kryerjes së arrestimeve është vazhduar me bastisje dhe deri në këtë fazë në fshatin Raushiq të Pejës janë gjetur rreth 100 kilogram substancë e dyshuar narkotike e llojit Marihuanë, sasi kjo në gjendje të ndryshme, disa prej tyre e gatshme dhe tjerat në formë të bimëve duke u terur e cila është sekuestruar. Bimët kanë qenë të kultivuara në oborrin e një fermë në afërsi të një shtëpie në fshatin Raushiq dhe sasia e tyre është 213 bimë”, thuhet në njoftimin policor.