Gjetjet e Raportit në ekonomi: Progres i kufizuar
Rezultate të dobëta në tregun e punës, ritëm i ngadalshëm i rritjes, papunësi e lartë e progres i kufizuar në infrastrukturë, janë disa nga kritikat që iu bënë Kosovës në fushën e ekonomisë na raportin e progresit për vitin 2024, hartuar nga Komisioni Evropian.
Për njohësin e çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj, kritikat ndaj ekonomisë janë të njëjtat që u bënë edhe më parë.
“Si te papunësia, si te barazia gjinore, si te rritja e brishtë ekonomike, pra të njëjtat probleme që janë ngritur si shqetësim në vazhdimësi. Qeveria duhet të fokusohet në politika investive, në fokusimin e punësimit, jo me pako sociale dhe politika sociale, por me politika investive, sepse në momentin që ke politika investive, rrjedhimisht determinon në rritjen e punësimit, sepse biznesi privat, sektori privat e ngjall aktivitetin e vet dhe rrjedhimisht rritet punësimi”, ka thënë Kadriaj.
Megjithatë, Kadriaj ka thënë se Qeveria duhet të punojë në përmirësimin e tyre.
“Qeveria nuk ka tjetër rrugëzgjidhje mbi bazën e ekonomisë së tregut dhe vlerësoi që ky vit do të jetë vit i investimeve që do të ndikojë në fuqizimin e biznesit, sepse do ta kenë të qartë se në këtë kohë, përveç bizneseve, edhe pjesa e punësimit nuk është e kënaqshme, kështu që në këtë drejtim, Qeveria nuk e ka të lehtë”, ka shtuar ai.
E, Fidan Qerimi, po ashtu njohës i çështjeve ekonomike, ka theksuar se Kosova duhet të përmirësojë investimet, në mënyrë që të ketë rritje ekonomike dhe kritikat e Komisionit Evropian të mos përsëriten më.
“Për të përshpejtuar ekonominë e Kosovës, që të ketë një rritje ekonomike në raport me regjionin, ne duhet që të përmirësojmë klimën e investimeve, ne si ekonomi e Kosovës, me këto kapacitete që kemi, nuk mund të bëjmë një mrekulli në ekonominë e Kosovës, prandaj duhet të hapemi për investime të huaja dhe këtë duhet ta bëjmë duke lehtësuar procedurat për investime, përmirësimin e licencimit të tatimeve që të kryhen në mënyrë elektronike dhe digjitale”, ka deklaruar Qerimi.
Kritika ndaj Kosovës pati edhe për numrin e madh të të rinjve, që nuk ndjekin arsimin e lartë ose trajnimet.
Megjithatë, raporti vlerëson se Kosova ka bërë disa përpjekje për ta përmirësuar cilësinë e fushës së ekonomisë.
Sipas raportit, rekomandimet e komisionit nga viti i kaluar janë zbatuar pjesërisht.
Aty theksohet se për të përmirësuar funksionimin e ekonomisë së tregut, Kosova duhet të bëjë përmirësimin e cilësisë së shpenzimeve publike, duke adresuar dobësitë në menaxhimin e investimeve publike.
Raportin, të mërkurën e ka pranuar zv.kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili ka thënë se rekomandimet e KE-së do të zbatohen, me gjithë masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.