Sot mblidhen deputetët, vazhdojnë seancën e nisur para tri javësh
Çështjet që nuk u shqyrtuan e nuk u miratuan që nga fillimi i sesionit vjeshtor do të tentohet që të përmbyllen sot nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët do të mblidhen për vazhdim të seancës së nisur tri javë më parë.
Vazhdimi i seancës është caktuar të hënën në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, pas së cilës përfaqësues të partive politike në Kuvend, kanë vlerësuar se legjislativin në muajt e fundit para zgjedhjeve e pret periudhë e vështirë.
Pas mbledhjes së Kryesisë, të hënën, ku për të enjten u caktua mbajtja e seancës së radhës, opozitarët ia lanë pushtetit fajin për mosshqyrtim e mosmiratim të pikave në rend të ditës, duke thënë se pushteti e ka humbur shumicën.
Por shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari -Lila, e ka mohuar këtë. Megjithëkëtë, e ka pranuar se mbetet sfidë prania e deputetëve e pjesëmarrja e tyre në votime.
Që nga fillimi i sesionit vjeshtor, Kuvendi ka mbajtur vetëm dy seanca dhe ato janë ndërprerë në mungesë të kourumit.