Sveçla për armët e kapura në veri: Po zgjatet lista e terroristëve të strehuar në Serbi
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se e mirëpret aksionin e Policisë në veri ku u sekuestrua armatim dhe pajisje për trazira e për prodhim të jashtëligjshëm të kriptovalutave.
Ai ka shkruar në Facebook të hënën se ky është edhe një rast shtesë “që dëshmon se po zgjatet lista e kriminelëve e terroristëve që po strehohen në Serbi”.
Ministri Sveçla ka thënë se beteja në luftën ndaj terrorizmit po vazhdon pandalshëm.
“Mirëpres aksionin e sotëm të Policisë së Kosovës në veriun tonë, që rezultoi me sekuestrimin e armatimit të shumtë e të ndryshëm, të pajisjeve për trazira e të pajisjeve për prodhimin e jashtëligjshëm të kriptovalutave, duke u parandaluar kështu sulme të mundshme ndaj zyrtarëve tanë, qytetarëve apo institucioneve tona. Ky është edhe një rast shtesë që dëshmon se po zgjatet lista e kriminelëve e terroristëve që po strehohen në Serbi. Beteja në luftimin e terrorizmit teksa po vijon me sukses do të jetë e pandalshme dhe nuk ka kthim prapa. Vendi ynë nuk do të jetë asnjëherë strehë e kriminelëve e terroristëve që cenojnë sigurinë e qytetarëve, zyrtarëve apo institucioneve tona”, ka thënë ai.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veri, Veton Elshani, ka thënë se është sekuestruar një armë AK-47, dy granata dore M-75, dy radiolidhje, 2 antiplumba, çanta ushtarake, kapela dhe dorëza, harta, sprej dhe po ashtu shall kamuflazhi.