Vdes 22-vjeçari në Vushtrri, dyshohet se u godit nga rryma
Një 22-vjeçar është goditur për vdekje nga rryma elektrike në shtëpinë e tij në fshatin Zhilivodë të Vushtrrisë.
Rasti ka ndodhur të dielën në orën 10:00, ku viktima është dërguar në Emergjencën e SHSKUK-së në Prishtinë, e një orë më vonë ka humbur jetën, konfirmoi për KOHËN zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Jugut, Ilmi Prekazi.
Ai ka thënë se në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet policore dhe eksperti i energjisë elektrike, derisa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Rasti po trajtohet si “vdekje e dyshimtë”.