Rrahmani e Korenica zyrtarisht ndajnë rrugët me VV-në
Tashmë është zyrtare. Eman Rrahmani dhe Visar Korenica i ndanë rrugët me Lëvizjen Vetëvendosje.
Në një konferencë për media, Rrahmani njoftoi se bashkë me Korenicën iu bashkuan Listës për familje të AKR-së dhe PD-së së Ferid Aganit, raporton Paparaci.
Ai tha se familja është faktor kryesor që ata janë sot aty.
“Unë dhe deputeti Visar Korenica nga sot nuk do të jemi pjesë e VV. Tash është caktuar data e zgjedhjeve dhe parimisht ka përfunduar mandati i deputetit. Ne jemi thellësisht mirënjohës për besimin e treguar gjatë këtyre viteve. Nuk kemi hequr dorë nga ky mision, por po bashkohemi në një koalicion për familjen. Projektkodi civil që në disa dispozita të tij cënon familjen tradicionale.
Ikja e të rinjve, punëtorëve profesionistë, e kategorive tjera shoqërore është bërë barrë e madhe që po e rëndon Kosovën. Mosngritja e pagave në sektorin publik, paga minimale, nepotizmi e shumë dukuri tjera, që jemi mundu të japim kontributin tone asnjëherë nuk kanë gjetur mbështetje nga subjekti politik por edhe nga Grupi Parlamentar. Në mbrojtje të kësaj kauze për familje, bashkë me deputetin Korenica e gjetëm nga Partia e Drejtësisë që e udhëheq Ferid Agani. Projektin tone ia propozuam edhe Behgjet Pacollit i cili më shumë dëshirë vendosi ti bashkohej kësaj kauze për familje, përkundër që kishte oferta për koalicion”, deklaroi ai.
Ai tha se do të vazhdojnë të votojnë çdo iniciativë që është në të mirë të qytetarëve dhe ta kundërshtojnë çdo iniciativë që është në dëm të qytetarëve.
“Puna në kuvend do të vazhdojë siç ka vazhduar deri sot”, tha ai.
Ai thotë që synojnë fitore për mbrojtjen e familjes.