Në Zveçan goditet me mjet shpërthyes lokali i pompës me pronar shqiptar
Objekti i kompanisë së karburanteve dhe vajrave të automjeteve “Lab-Oil”, me pronar shqiptar, është goditur me mjet shpërthyes në orët e para të mëngjesit të së dielës në Zveçan.
Veton Elshani, zv.drejtor i Policisë për rajonin e veriut, ka thënë se rasti është cilësuar “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
“Rreth mesnatës në afërsi të pompës së benzinës e cila është në qendër të Zveçanit ka ndodhur një shpërthim. Nga ky shpërthim nuk ka të lënduar, ndërsa ka pasur dëme materiale në shtëpizën e pompës së benzinës dhe në disa vetura në afërsi. Nuk mund të themi ende se çka e ka shkaktuar këtë shpërthim, ndërsa njësitet përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes. Në kohën e shpërthimit, pompa e benzinës nuk ka qenë aktive, ndërsa rasti cilësohet si ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’”, ka thënë Elshani.
Pasojat nga shpërthimi vërehen te dy veturat e dëmtuara dhe disa objekte përreth.
Po ashtu është dëmtuar edhe një lokal ushqimor përballë objektit ku u hodh mjeti shpërthyes.
|Çka ka ndodhur nuk di dhe as nuk mund të supozoj. Çka dhe si mund të dyshoj unë, por dihet këtu kush e mban sigurinë”, ka thënë Nebojsha Ristoviq, pronar i këtij dyqani të dëmtuar.
Vendin e ngjarjes, të dielën e vizitoi edhe kryetari i Zveçanit, Ilir Peci.
“Komuna e Zveçanit dënon këtë akt dhe personat të cilët e shkaktuan incidentin. Kryetari i komunës ishte në vendin e ngjarjes për të parë gjendjen dhe për të falënderuar Policinë e Kosovës për gatishmërinë e tyre dhe profesionalizmin e treguar në çdo moment”, ka thënë Peci.
Gazetari Branislav Kërstiq thotë se sulmi në pikën e karburanteve është dëshmi e brishtësisë së sigurisë në veri të vendit.
“Në asnjë vend të botës nuk ke pompa të benzinës që ruhen nga policia speciale, çka do të thotë që e kemi një situatë të jashtëzakonshme në veriun e vendit…Tash më duket se jemi ne një pikë ku, në qoftë se e kalojmë edhe një hap më tepër do të kemi incidente dhe kjo është për shqetësim”, ka deklaruar Kërstiq.
Kërstiq thotë se në mungesë të përafrimit të komunitetit serb të veriut me projekte multietnike, promovuese të bashkëjetesës, ka ndodhur një thellim i mos-besimit të serbëve tek institucionet e Kosovës, e për këtë, sipas tij, rreziqet mund të rriten.