Rama në OKB: Jemi buzë një rreziku të jashtëzakonshëm
Në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në Samitin për të Ardhmen, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është shprehur se vendet ndodhen “buzë një rreziku të jashtëzakonshëm ku askush s’është i sigurt”.
Rama ka përmendur luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, duke thënë se kjo situatë në Evropë rrezikon edhe shtete të tjera “pavarësisht pozitës gjeografike, madhësisë apo fuqisë”.
“…Një luftë e re ka vënë në pikëpyetje, jo vetëm gjithçka që e mendonim të padiskutueshme, por edhe ekzistencën e njerëzimit. Të përballur me kërcënimet e marra, të hapura për përdorimin e armëve bërthamore…Bota ka ndryshuar dramatikisht prej kur Kombet e Bashkuara janë krijuar…Ky institucion mbetet i pazëvendësueshëm. Jemi buzë një rreziku të jashtëzakonshëm dhe askush s’është i sigurt, pavarësisht pozitës gjeografike, madhësisë, fuqisë, pasurisë, pavarësisht sistemeve politike e shoqërore. Sfidat janë të ndërlidhura thellësisht…”, ka deklaruar të dielën kryeministri Rama.
Ai edhe i ka kritikuar vendet anëtare të OKB-së se “veprimet e tyre shumë shpesh kanë qenë larg përmbushjes së pritjeve”.
“Herë pas here, OKB-ja s’ka mundur t’i përmbushë shpresat e neve, popujve dhe frika për të ardhmen vazhdon të rritet kudo, në lindje, në perëndim, në veri e në jug. Këto kriza kanë shkatërruar terrenin e përbashkët, e mes trazirës, kemi çuar dëm mundësitë që secila krizë na ka paraqitur për një ndryshim”, ka thënë Rama.
Rama ka shtuar se Shqipëria i ka dhënë botës shembuj të mirë “për të mbrojtur mekanizmin tonë të përbashkët”.