Kush e fitoi debatin Trump-Harris?
Kandidatët për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe Kamala Harris u përballën për herë të parë në debatin presidencial në mbrëmjen e së martës, sipas kohës në Filadelfia.
Ata në fund ia shtrënguan dorën njëri-tjetrit.
Përgjatë debatit 90-minutësh, kandidatja demokrate shpesh sulmoi ish-presidentin Trump me sulme personale duke nxehur debatin. Trumpi u përball me sulme mbi turmat në fushatë, sjelljen në trazirat e Capitolit dhe për zyrtarët që dikur shërbyen në administratën e tij, por më pas e kritikuan.
Debati vazhdonte me goditjet që Harrisi ia bënte kandidatit republikan e ai përgjigjen duke rritur zërin herë pas here e duke lëkundur kokën.
Harrisi në një çast iu drejtua Trumpit duke thënë se njerëzit ia lëshojnë tubimet sepse “mërziten e bëhen bajat”.
Këto dhe sulmet tjera të Harrisit, sipas një sondazhi online të CNN-it gjatë debatit, bënë që ajo të konsiderohet fituese. Performanca e saj u vlerësua si fituese nga 63 për qind e të anketuarve, ndërsa 37 për qind votuan për Trumpin.
Para debatit, votuesit e njëjtë ishin ndarë në 50-50 në pritjet se kush do ta fitojë debatin.
Rezultati përbën ndryshim të dukshëm nga debati i qershorit, në të cilin Trumpi kishte marrë 67 për qind e Joe Bideni 33. Ky debat konsiderohej edhe nisma që ndaj Bidenit të shtohej presioni e më pas ai u tërhoq nga gara për një mandat të ri duke i lënë hapësirën Harrisit.
Zgjedhjet mbahen në nëntor.