Buleshkaj: Prokurori është duke trajtuar rastin e Gërvallës për mosdeklarim të pasurisë
Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, ka thënë se kjo Agjenci e ka kryer punën e saj, për sa i përket rastit për mos deklarim të pasurisë nga ana e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, duke dërguar rastin në Prokurori.
Gjykata Themelore në Prishtinë, ka konfirmuar aktakuzën për mosraportim të pasurisë ndaj ministres Gërvalla.
E për këtë, Buleshkaj, ka thënë se rasti tani është duke u trajtuar në Prokurori dhe se Agjencia që drejton ai është pjesëmarrës në secilën fazë të hetimeve të këtij rasti, raporton Ekonomia Online.
“Për këtë rast unë nuk kisha parapëlqyer që të jap koment sepse Agjencia e ka kryer punë e vetë, rasti është dërguar në Prokurori, ndërsa Prokuroria tashmë është ajo e cila është duke e trajtuar këtë rast. Ne e jemi pjesëmarrës të secilës fazë, qoftë të hetimeve, po ashtu edhe të trajtimeve gjyqësore që do ti bëhet këtij rasti, jemi gjithmonë prezent, kudo që na kërkohet”, deklaroi Buleshkaj.
Ai ka thënë se ky është një shembull që pa marr parasysh nivelin e pozitës që kanë zyrtarët duhet që të jenë transparent me publikun duke deklaruar pasurin.
Sipas tij, deklarimi i pasurisë është një kërkesë ligjore e ka secili zyrtarë publikë duke filluar nga Presidenti i vendit.
“Po besoj që është një shembull që pa marr parasysh nivelin e pozitës që kemi duhet të jemi edhe transparent ndaj publikut në raport me deklarimin e pasurisë. Dhe çdo detyrë tjetër që e kemi duke mos paragjykuar për burimin e të hyrave, apo duke mos paragjykuar a janë legjitime apo jo ato të hyra. Por kjo është një kërkesë ligjore e ka secili zyrtarë publikë duke filluar nga Presidenti i vendit, e i përmendëm edhe mjekët edhe profesorët tashmë që është një obligim ligjor. Nuk është i lehtë, por jemi të obliguar të gjithë ne duke përfshire edhe pozitën time si drejtor që ta kryejmë këtë deklarim që të jemi transparent ndaj publikut. Pastaj në raste ku mund të ketë shkelje i kemi institucionet e ndjekjes të cilat trajtojnë rastin po besoj sipas meritës deri në fund dhe do ta dimë versionin final”, ka thënë ai.
Gjykata Themelore në Prishtinës ka konfirmuar aktakuzën për mosraportim të pasurisë ndaj ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe zëvendëskryeministres.
Ajo ngarkohet se në cilësinë e zyrtares së lartë publike në formularin për deklarim të pasurisë më 22 mars 2021, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara me ligj.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar vendimin e marrë më 19 qershor 2024, përmes të cilit gjykata ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për kundërshtim të provave dhe hedhje të aktakuzës të parashtruara nga mbrojtësja e Gërvallës, avokatja Saranda Keqekolla-Sadiku.
E me qëllim që gjykata të ketë një pasqyrë më të qartë lidhur me këtë çështje penale si dhe për faktin se e njëjta detyrohet që saktësisht dhe tërësisht të vërtetojë faktet për të marrë një vendim të ligjshëm, ka vendosur që procedura penale e filluar ndaj Gërvallës të vazhdohet tutje në fazat e tjera të procedurës.
Lidhur me akuzën për mosraportim të saktë të pasurisë, në seancën fillestare më 7 mars 2024, Gërvalla ishte deklaruar e pafajshme. Më pas avokatja e saj, Keqekolla-Sadiku kishte parashtruar kërkesë që të hudhet poshtë aktakuza.
Mbrojtja kishte pretenduar se nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se e mbrojtura e saj ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë, duke theksuar se aktakuza është e mangët dhe nuk është në harmoni me kërkesat ligjore.
Mirëpo, kërkesa e tillë e mbrojtjes, sipas Gjykatës Themelore në Prishtinë është e pabazuar dhe e njëjta është refuzuar.
Gjykata ka gjetur se aktakuza mbështetet në prova të marra konform dispozitave ligjore dhe sipas saj, nuk ka vend për hedhje të aktakuzës ngase nuk ekzistojnë rrethana që e përjashtojnë përgjegjësinë penale, vepra penale nuk është përfshirë në parashkrim dhe nuk ka rrethana tjera të cilat e pengojnë ndjekjen penale.
Aktakuza thotë se e njëjta në këtë formular nuk ka deklaruar asnjë të hyrë-të ardhur të bashkëshortit të saj Stefan Schwarz edhe përkundër se të njëjtin e ka deklaruar si bashkëshort.
Tutje, në akuzë thuhet se Gërvalla nuk ka deklaruar në tërësi parcelën kadastrale-toka bujqësore në pronësi të saj në sipërfaqe prej 3964 m2 në ZK Dubovik-Komuna e Deçanit, duke e deklaruar vetëm sipërfaqe prej 2000 m2.
Po ashtu, Gërvalla sipas akuzës thuhet se nuk ka deklaruar as biznesin “Alb Lingua UG” e regjistruar në Bon të Gjermanisë në emër të saj.
Me këto veprime, Gërvalla akuzohet se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penale të Republikës së Kosovës.