Partitë kanë të drejtë t’i shpenzojnë deri dy milionë euro në fushatë
Nga dy milionë euro ka të drejtë t’i shpenzojë secili subjekt politik që do të certifikohet për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit. Vendimi u mor të mërkurën nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Sipas vendimit të KQZ-së, shuma e saktë e lejuar për shpenzime maksimale është 2 milionë e 47 mijë e 149 euro. Kjo është e barabartë me numrin e votuesve të regjistruar në listat preliminare të votuesve. Llogaritja është bërë duke u mbështetur në Rregulloren zgjedhore për fushatën e zgjedhjeve.
KQZ-ja po ashtu ka vendosur për themelimin e komisionit për shqyrtimin e kundërshtimeve administrative të parashtruara kundër njoftimit për regjistrim të votueseve jashtë Kosovës. Sipas Ligjit nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme, çdo aplikues, të cilit i është refuzuar regjistrimi, ka të drejtë në kundërshtim administrativ ndaj njoftimit brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Zgjedhjet e rregullta parlamentare janë caktuar për t’u mbajtur më 9 shkurt të vitit të ardhshëm.