Tahiri: Kosova është kthyer dramatikisht prapa falë eksperimenteve të Kurtit
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “e ka kthyer Kosovën dramatikisht prapa me eksperimentet e veta”.
“Rrugëtimin e sigurt të integrimit në NATO, të veriut të Kosovës, të anëtarësimit në Këshill të Evropës e ka ndalë Albin Kurti me eksperimentet e veta”, ka thënë Tahiri në “Interaktiv” të KTV-së. “Nuk mundet Kosova me u anëtarësu kurrë në jetë pa dashur Amerika, edhe nëse Amerika nuk është në Këshill të Evropës. S’mund të jetë anëtare e NATO-s pa e dhënë ‘po’ një shtet. Kosova në këtë katërvjeçar është kthyer dramatikisht prapa”.
Tahiri ka thënë se AAK-ja beson se Albin Kurti më nuk duhet të jetë kryeministër.
E për partinë në pushtet ka thënë se “është dehur nga pushteti i madh”.
“E shoh këtë kabinet qeveritar jo të dehur prej alkooli, por prej pushtetit të madh që erdh me votën e popullit e sakrificën e shumë aktivistëve të Vetëvendosjes. Kanë pushtet 50 për qind për shkak të gabimeve tona e qëndrueshmërisë së shumë aktivistëve të VV-së”, ka thënë Tahiri.
Tahiri: Ramush Haradinaj do të jetë kandidat për kryeministër
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se Ramush Haradinaj do të jetë i nominuar për kryeministër nga radhët e koalicionit AAK-NISMA-Konservatorët dhe E-30.
Tahiri në “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se Haradinaj është bartës i këtij koalicioni. Ai ka thënë se pritet të nominohet zyrtarisht.
“Duke qenë si bartës i këtij koalicioni, Ramush Haradinaj normalisht që do të jetë i nominuar. Por, i nënshtrohet një procedure në parti, në koalicion që të marrë formalisht nominimin”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka thënë se në zgjedhjet e 9 shkurtit AAK-ja do ta ketë rezultatin më të mirë ndonjëherë në zgjedhjet parlamentare.
Ai ka thënë se viti 2025 do të jetë shumë i rëndësishëm për AAK-në.
“Mendoj se Aleanca jo që do të dyfishojë rezultatin që kishte nga zgjedhjet e kaluara. Dyfishim do të ketë gjithsesi, do të jetë diku 15 për qind…Ne kemi pasur 100 mijë vota në zgjedhjet e fundit lokale. Në zgjedhjet pikë referente nuk është 14 shkurti pasi ishte uragan kundër partive ‘të vjetra’. Nuk është pikë referente. Nëse është ai 100 mijë vota që kemi pasur, e 30 mijë të NISMËS e numër relativisht i mirë i dy partive tjera në koalicion, atëherë vijmë deri 140 mijë vota. Nëse janë 750 mijë vota, atëherë Aleanca del diku te 19 për qind”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka thënë se AAK-ja i di gabimet e bëra në të kaluarën, e mesin e tyre thotë se është koalicioni me PAN-in.