Franca do kthim tek Marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit
Ministria e Punëve të Jashtme të Francës përmes një reagimi kanë thënë se dënojnë ashpër shumëfishimin e veprimeve të njëanshme të institucioneve të Kosovës në Veri, veprime të cilat MPJ franceze thotë se ndikojnë në jetën e përditshme të komunitetit serb
MPJ e Francës në reagim potencon se veprime të tilla të institucioneve të Kosovës “rrezikojnë përpjekjet për normalizim të raporteve me Serbinë”.
Parisi zyrtar bën thirrje që palët të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe t’i kthehen dialogut dhe zbatimit të marrëveshjes Bruksel-Ohër.
“Franca u bën thirrje autoriteteve kosovare që të përmbahen nga çdo veprim i ri i njëanshëm, i cili do të kontribuonte më tej në përshkallëzimin e tensioneve. Franca inkurajon të dyja palët të kthehen në tryezën e bisedimeve, nën kujdesin e Bashkimit Evropian, në mënyrë që të përparojnë në zbatimin e marrëveshjes Bruksel-Ohër”, përfundon reagimi.
Ndryshe, për ato që po quhen veprime të një anshme dhe të pakordinuara të Qeverisë së Kosovës në veri, para disa ditësh ka reaguar edhe Ambasada e SHBA-së në Prishtinë.
“Veprimet e pakoordinuara të Kosovës i vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar“, thuhej tutje në reagimin amerikan.