“Ditë e keqe për Kosovën”: Paralajmërohen ndërlikime pas marrëveshjes mes Gjermanisë e Serbisë
Olaf Scholz, kancelar i Gjermanisë, po qëndron në një vizitë në Serbi, ku është pritur me nderime të larta që në aeroportin “Nikola Tesla” të Beogradit nga ana e presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Këto dy vende, pra Gjermania (në emër të BE-së) dhe Serbia, e kanë nënshkruar edhe një memorandum në lidhje me “një partneritet strategjik për lëndët e para të qëndrueshme”. Kjo vizitë është komentuar, dorën në zemër me tone pesimiste, edhe në Kosovë.
Enver Hoxhaj, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, vlerësoi se kjo vizitë është një fazë e re e ndërlikimit të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe partnerëve evropianë.
“Në garë për prodhimin e baterive, Gjermania është në mesin e fuqive në tregun botëror, prandaj, vizita e sotme e Kancelarit Olaf Scholz tregon që Serbia është bërë interes strategjik i vendit të tij dhe BE-së! Askush nuk e di përmbajtjen e një deklarate përkatëse rreth qëllimeve të bashkëpunimit që sot do të nënshkruhet, por një gjë dihet, që kjo është fazë e re e ndërlikimit të marrëdhënies së Kosovës me partnerët evropianët
Kushdo që mendon ndryshe e ka gabim dhe do të vazhdojë ta ketë gabim! Sepse nuk është situatë e njëjtë sikurse ishte deri sot!” – shkroi Hoxhaj.
Ndërsa Afrim Kasolli, analist që dikur ishte edhe deputet i Kuvendit të Kosovës, ka pasur një interpretim interesant për këtë zhvillim të ri politik. Sipas Kasollit, as pushteti, as opozita nuk kishte ndonjë interpretim të mirë të kësaj ngjarjeje.
“Për të kuptuar mjerimin dhe miopinë e politikës në Kosovë, si të asaj në pushtet ashtu edhe ne opozitë, mjafton të shihet mënyra se si po interpretohet vizita e kancelarit gjerman Olaf Sholz në Serbi. Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvlla, e quajti këtë vizitë si një lloj inkurajimi të sulmeve të Serbisë ndaj Kosovës. Por as opozita nuk kishte ndonjë interpretim per kete vizite, pos nje reagimi te ish-ministrit te Puneve te Jashtme Enver Hoxhaj. Mirëpo, i njëjti nuk tha ndonje gjë të veçantë, pos që i përtypi dhe ripërtypi përafërsisht ato që i kishin deklaruar para tij gazetarët, analistët etj etj.
Dëshmi kjo që tregon se skena politike në Kosovë nuk ka aftësi per ta menduar kohën në të cilën jetojmë dhe veprojmë, njëra nga detyrat që Hegeli ia kishte ngarkuar filozofisë. Ajo krejt çka bënë ose është e verberuar strategjikisht nga ngarkesat ideologjike, ose ushqehet me opinione të çastit sa për ta plotësuar nevojën për konsum ditor në rrjetet sociale” – ka shkruar Kasolli.
Në këtë linjë të interpretimeve pesimiste është edhe Robert Bosch, ish-ambasador i Holandës në Kosovës. Në një shkrim në profilin e tij në Facebook, Bosch vlerësoi se sot është një ditë e keqe për “mjedisin, demokracinë dhe Kosovën”.
“Ditë e keqe për mjedisin, demokracinë dhe për Kosovën. BE-ja kësaj radhe edhe përmes vizitës së kancelarit gjerman, mbështet qeverinë serbe që të lërë investitorët e huaj të shkatërrojnë, kundër vullnetit të njerëzve, për të filluar nxjerrjen e litiumit. Litiumi është i domosdoshëm për bateritë në E-makinat, arsye që veçanërisht Gjermania, me industrinë e madhe të makinave, është e interesuar. Vuçiq do ta përdorë këtë sigurisht dhe BE-ja përdor regjimin e tij autokratik për të injoruar vullnetin e popullit. Unë mendoj se nuk flitet për politikën e tij për destabilizimin e rajonit” – ka shkruar Bosch.