Hovenier: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë dhe do të jenë me popullin e Kosovës
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, në fjalimin e tij gjatë ceremonisë për shënimin e 248 vjetorit të pavarësisë së këtij vendi, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndihen krenare që mbështetën Kosovën.
Hovenier tha se angazhimi i SHBA-së për Kosovën është gjatë dhe i vazhdueshëm, pavarësisht se a janë në pushtet në SHBA demokratët, apo republikanët.
“Shtetet e Bashkuara janë krenare për mbështetjen e tyre për popullin e Kosovës tash e një çerek shekulli, duke vendosur paqen, duke ofruar siguri dhe duke ndihmuar në ndërtimin e kombit tuaj sovran, të pavarur dhe multietnik. Unë dua që ju të dini se ky angazhim i SHBA-së është i gjatë dhe dypartiak.
Disa nga “Heronjtë” që e mbështetën Kosovën në kohën e saj më të errët përfshijnë ish-presidentin Bill Clinton dhe ish-Sekretaren e Shtetit Madeleine Albright – të dy anëtarë të Partisë Demokratike, si dhe ish-senatorin Robert Dole – i cili ishte një anëtar udhëheqës dhe ish-kandidat presidencial për partinë republikane. Është e drejtë dhe me vend që të tre të kenë statuja apo buste përkujtimore këtu në Prishtinë, duke na kujtuar të gjithëve çdo ditë se çfarë kanë bërë për popullin e Kosovës.
Në përputhje me trashëgiminë e ish-presidentit Clinton, ish-sekretares Albright, ish-senatorit Dole dhe sigurisht angazhimit të vazhdueshëm të Presidentit Biden, dua të pohoj se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet tuaja për të realizuar këtë vizion ambicioz dhe kritik”, tha Hovenier.
Data zyrtare e Pavarësisë së Amerikës është 4 korriku.
Kjo datë, është festë federale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që përkujton Deklaratën e Pavarësisë, e cila u ratifikua nga Kongresi i Dytë Kontinental më 4 korrik 1776, duke krijuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës