Assange lirohet nga burgu britanik, arrin marrëveshje me ShBA-në për ta pranuar fajësinë
Themeluesi i famshëm i uebfaqes “WikiLeaks”, Julian Assange, është liruar nga një burg në Britani dhe pritet të deklarohet fajtor për shkeljen e një ligji amerikan kundër spiunimit, në një marrëveshje me Departamentin e Drejtësisë që do ta lejojë për t’u kthyer në atdhe, në Australi.
Australiani 52-vjeçar është pajtuar për t’u deklaruar fajtor për një pikë të vetme të aktakuzës – konspiracion për të siguruar dhe zbuluar dokumente të klasifikuara të mbrojtjes kombëtare të ShBA-së, sipas dokumenteve në gjykatën e qarkut në Ishujt Veriorë të Marianas, raporton gazeta “The Guardian”.
“WikiLeaks” publikoi në rrjete sociale një video të themeluesit të saj duke hipur në një aeroplan në aeroportin “Stansted” të Londrës të hënën në mbrëmje, ndërsa kryeministri britanik, Anthony Albanese, konfirmoi se Asange është larguar nga Britania.
Raportohet se Assange është duke udhëtuar drejt ishullit Saipan, ku do të dënohet në orën 9 të mëngjesit sipas kohës lokale të mërkurën. Sipas kryeministrit australian, Assange po shoqërohet nga komisionari i lartë i Australisë në Britani, Stephen Smith.
“Pavarësisht nga pikëpamjet që njerëzit i kanë për Julian Assange-n dhe aktivitetet e tij, rasti është zvarritur për një kohë të gjatë dhe nuk ka asgjë për t’u fituar nga burgosja e tij e vazhdueshme dhe ne duam që ai të kthehet në shtëpi, në Australi” – tha Albanese të mërkurën.
Sipas marrëveshjes, që duhet të miratohet nga një gjykatës, Assange-s pritet t’i numërohen pesë vjetët tashmë prapa grilave dhe nuk pritet të ballafaqohet me dënim të ri me burgim.