Studentët nuk po munden të hanë vaktin e paraditës
Studentët që jetojnë në konviktet e Qendrës Studentore të Prishtinës, por edhe të tjerë që kanë paguar për t’u ushqyer në mensë, po ankohen ndaj këtij instutucioni. Ata po kërkojnë që të ndryshohet tradita dhjetëra vjeçare e kohës për t’u ushqyer, pasi hapja e vonshme e mensës shpeshherë po i lë pa ngrënë vaktin e paraditës.
Mensa është vendi ku shumica e studenteve të Universitetit të Prishtinës, por edhe tjerë ushqehen gjatë studimeve. Aty shërbehen shumë lloje të ushqimeve dhe studentët me një pagesë simbolike mund të hanë gjatë ditës dy vakte.
Por, problem mbetet orari i hapjes së mensës. Studentët po ankohen se shpeshherë nuk po munden të hanë vaktin e paraditës, sepse në kohën që hapet mensa zakonisht nisin edhe ligjeratat e ushtrimet nëpër fakultete.
Studentja e Fakultetit të Mjekësisë, Eldina Huruglica tregon se e ka të pamundur të ushqehet dy herë në ditë në mensë, sepse orari i ligjëratave nuk i përshtatet me kohën kur mensa hap dyert për studentë.
Ajo thotë se sikur të ishte e mundur të hapej më herët mensa, atëherë shumë studentë nuk do të detyroheshin të shpenzonin para shtesë për t’u ushqyer.
“Hapja bëhet nga ora 10:00 dhe unë kështu nuk mundem të shkojë në mensë për shkak të ligjëratave dhe ushtrimeve që kam. Sikur të ishte më herët hapja, nuk do të ishte e nevojshme që ne të paguajmë ekstra për ushqim, por do të kishim shkuar në ligjërata me barkun e mbushur, e edhe koncentrimi do të ishte më i madh”, tha studentja Huruglica.
Ajo pranon se nuk ka bërë ndonjëherë ankesë në organet drejtuese të Qendrës Studentore të Prishtinës e madje as në organizatat studentore, por për këtë ka një arsye.
“Kur fola edhe sot me shoqet e mia, edhe ato ishin të pajtimit që do të ishte më mirë sikur të hanim ushqim më herët, por kur e di që kjo traditë ka kohë që nuk ndryshohet, nuk jam shumë optimiste që do të mund të merrej parasysh kërkesa jonë”, shprehet ajo.
Edhe studentja e Fakultetit të Arkitekturës, Diellona Fetahu, e cila ka paguar mensën për t’u ushqyer kërkon ndryshimin e orarit për hapjen e dyerve të mensës.
“Nuk besoj se për drejtuesit e punëtorët e mensës do të paraqiste problem të madh sikur që ushqimi të shërbehej më herët dhe studentët të mund të hanin mëngjesin para se të shkonin në ligjërata e ushtrime”, ka thënë ajo.
Në anën tjetër drejtori i Qendrës Studentore të Prishtinës, Fatmir Sfishta thotë për FaktePlus se orari aktual i ushqimit është që 50 vite dhe i është përshtatur 99 për qind të studentëve.
Sipas tij, asnjëherë në adresë të Qendrës së Studentëve nuk ka ardhur ndonjë ankesë sa i përket këtij orari.
“Studentët nuk kanë shprehur tek ne asnjë ankesë. Ky është orar që 50 vjet dhe është i përshtatshëm për 99 për qind të studentëve e mund të mos jetë për 1 për qind të tyre”, tha Sfishta.
Ai shton se ushqimi që ofrohet në mensë është gjithnjë i freskët dhe me vlera ushqyese.
“Menyja ditore për shembull për ditën e martë është kështu: patate të shtypura, supë me mish patate me mish të bluar, pire me gullash, musak patatesh, oriz me mish të bardh, groshë me mish viçi, supë pule edhe lëngë. Nëse edhe për këto ankohen që janë 15 cent le të ankohen gjithë ditën se bash ndërgjegjen e pastër e kam”, është shprehur Sfishta.
Mensa në Qendrën Studentore të Prishtinës ka të punësuar rreth 80 persona, të cilët përgatisin ushqim për rreth 5500 studentë, duke përfshirë këtu gjithë studentët që janë banues në konvikte (rreth 4 mijë), por edhe ata studentë që nuk janë pranuar në konvikte (rreth 1500). Studentët për ushqim në mensë paguajnë një shumë simbolike prej 15 euro në muaj dhe hanë së paku 60 vakte./FaktePlus