Kusari: VV-ja po synon t’i zëvendësojë 200-300 punëtorë të RTK-së me njerëz të vet
Juristja e medias, Flutura Kusari, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po synon që t’i largojë 200 deri në 300 punëtorë nga Radiotelevizioni Publik i Kosovës (RTK) e t’i zëvendësojë ata me njerëz të vet.
Kusari ka hedhur këto pretendime në mbledhjen që Bordi i RTK-së pritet ta mbajë sot [e mërkurë].
Sipas juristes së medias, VV-ja po përpiqet t’i largojë punëtorët me arsyetimin e mospunës. Por siç thotë ajo, kjo është krejt kamuflim.
Kusari ka thënë se nëse ka mospunë atëherë duhet të jetë Bordi i RTK-së ai që jep dorëheqje.
“Nuk bën me largu njerëz nga RTK. Nuk citen në rrugë njerëzit që ia kanë kushtu RTK-së 2-3 dekada të jetës së tyre. Bordi është trupi përgjegjës për reformë dhe nëse ata konsiderojnë që reforma ka dështuar duhet urgjentisht të japin dorëheqje. Pa vonesë”, ka shkruar ndër të tjera ajo.
Kusari ka rekomanduar që Bordi i RTK-së, “në vend të urdhrave politikë”, të fokusohet në sigurimin e 16 milionë eurove dhe t’ia sigurojë pronën RTK-së.
Shkrimi i Kusarit në Facebook:
“A do të vazhdojë kapja e RTK-së nga VV-ja? Në mbledhjen e sotit, bordi i RTK-së ka përpara disa mundësi: 1) Të zbatojë me përpikmëri urdhërin e prerë të njerëzve të Vetëvendosjes që mos ta aprovojnë raportin e menaxhmentit të RTK-së, për t’i hapur rrugë vazhdimit të kapjes politike të RTK-së.
2) Të veprojë i pavarur dhe të aprovojë raportin, i cili reflekton punën që vetë bordi e ka bë në RTK gjatë tërë vitit të kaluar.
3) Ta shtyjë aprovimin e raportit në përpjekje për të kamufluar ndikimin politik në bord.
Ideja e VV-së, e dizajnuar që nga nëntori i vitit të kaluar është kjo:
- – Bordi nuk e aprovon raportin vjetor të menaxhmentit dhe publikisht thotë reformat nuk kanë shku mirë prandaj na duhen njerëz të ri- Vendoset një u.d i drejtorit që është komplet VV dhe adhurues i flaktë i kryeministrit
- – Mos aprovimi pastaj përdoret si bazë për shkarkim, shih nenin përkatës më poshtë
- – Përfundon kapja e RTK-së – e filluar me drejtorin e televizionit – pikërisht disa muaj para zgjedhjeve.
Arsyetimi i VV-së dhe disave në bord është që ka dështu reforma në RTK. Reforma që po e kërkon VV-ja është me i largu edhe 200-300 punëtorë nën arsyetimin se nuk po punojnë por arsyeja e vërtetë është se i shohin si të partive tjera dhe duan ta mbushin RTK-në me njerëz të VV-së.
Nuk bën me largu njerëz nga RTK. Nuk citen në rrugë njerëzit që ia kanë kushtu RTK-së 2-3 dekada të jetës së tyre.
Bordi është trupi përgjegjës për reformë dhe nëse ata konsiderojnë që reforma ka dështuar duhet urgjentisht të japin dorëheqje. Pa vonesë.
Për çdo muaj anëtarët e bordit kanë pranuar raporte nga menaxhmenti të cilat raporte janë pranuar prandaj me thënë pas 12 muajsh nuk po e pranojmë përmbledhjen e 12 raporteve që ata vetë i kanë pranuar, është keqpërdorim i pozitës publike që e mbajnë dhe gjunjëzim para VV-së.
Bordi, në vend të zbatimit të urdhërave politikë duhet të fokusohet në:
- a) T’ia sigurojë RTK-së 16 milionë euro në mënyrë që gazetarët dhe profesionistët e tjerë aty të kenë mundësi të shkëlqejnë në punën e tyre
- b) T’ia sigurojë pronën RTK-së
Shpresoj që do të monitorohet kjo mbledhje dhe të shohim kush si voton sepse kështu e dimë kush po i gjunjëzohet VV-së.