OBSH: Nuk ka spitale funksionale në veri të Gazës
Në veri të Rripit të Gazës nuk është asnjë spital funksional, ka thënë të enjten Organizata Botërore e Shëndetësisë, teksa i ka përshkruar pamjet e rënda të pacientëve të braktisur, të cilët kërkojnë bukë dhe ujë.
Kjo agjenci e Kombeve të Bashkuara për Shëndetësi, ka thënë se ka pasur personel të angazhuar në spitalet Al-Shifa dhe Al-Ahli në veri të Gazës.
“Stafi ynë është pa fjalë që mund të përshkruajnë situatën katastrofale me të cilën përballen pacientët dhe punëtorët tanë shëndetësorë”, ka thënë Richard Peeperkorn, përfaqësues i OBSH-së për territorin palestinez.
Komenti i tij ka ardhur teksa janë rritur përpjekjet diplomatike për të arritur pauzë humanitare në luftën që Hamasi ka thënë se ka lënë të vdekur 20.000 njerëz në Gazë – 70 për qind e tyre gra dhe fëmijë.
Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën me 2.3 milionë banorë, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Lufta ka nisur pasi Hamasi ka sulmuar Izraelin, më 7 tetor, duke vrarë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke marrë peng rreth 240 tjerë.
OBSH-ja e ka përshkruar së fundi spitalin Al-Shifa, më të madhin në Gazë, si “banjë gjaku”.
Muajin e kaluar, ushtria izraelite ka kryer një operacion në të, dhe për pasojë objekti është shkatërruar nga bombardimet.
Spitali më i vogël, Al-Ahli, ka qenë më pas vendi i vetëm ku janë kryer operimet në pjesën veriore të Gazës, mirëpo drejtori i saj ka thënë se të gjitha shërbimet janë pezulluar, pas bastisjeve të ushtrisë izraelitë të martën. /REL/