Armët, stërvitje dhe kërcënimet: Rriten tensionet në kufirin mes dy Koreve
Tensionet janë sërish të larta përgjatë Zonës së Çmilitarizuar (DMZ), kufiri që ndan dy Koretë ende teknikisht në luftë me njëra-tjetrën.
Koreja e Veriut kohët e fundit ridislokoi trupa dhe armë të rënda në zonë, pas anulimit të marrëveshjes ushtarake ndërkoreane të vitit 2018, e cila u arrit midis palëve në atë kohë për të parandaluar tensionet dhe përplasjet aksidentale pranë kufirit.
Disa ditë më vonë, Komanda Indo-Paqësore e Shteteve të Bashkuara publikoi foto të një grupi ushtarësh të Ushtrisë Amerikane, veçanërisht nga Kompania e 59 Kimike, Biologjike, Radiologjike dhe Bërthamore me qëllim të kryerjes së manovrave të përbashkëta ushtarake me forcat koreano-jugore, pikërisht në DMZ.
Situata u përkeqësua pasi Kim Jong Un lëshoi satelitin spiun. Ndërsa thashethemet për një lëshim të mundshëm të një sateliti të Koresë së Veriut në orbitë u intensifikuan, Koreja e Jugut njoftoi se do të pezullonte disa nga masat e saj për të zvogëluar mundësinë e konfliktit aksidental ose incidenteve pranë kufirit ndërkorean.
Kështu, Seuli ka zgjedhur të intensifikojë mbikëqyrjen në kufi, duke shkaktuar një forcim të mëtejshëm të pozicionit të Phenianit.
Pheniani më pas bëri të ditur se do të konsideronte përpjekjet e SHBA për të neutralizuar satelitin e parë zbulues në orbitën e Tokës si një deklaratë lufte dhe mund të përgjigjet me veprime të ngjashme.
Ushtarët amerikanë kryen stërvitje me trupat e Koresë së Jugut dhe kanë miratuar gjithashtu një shitje të mundshme ndaj Koresë së Jugut të municioneve për të operuar avionë luftarakë F-35 që shmangin radarët dhe pajisje të ngjashme, të gjitha për të ndihmuar në përmirësimin e aftësive mbrojtëse të aleatit aziatik.