Pesë milionë euro mbështetje shtesë për familjet në asistencë për blerjen e druve për dimër
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ka miratuar vendimin për ndarjen e 5 milionë eurove nga Pakoja Energjetike e Bashkimit Evropian, mbështetje shtesë për familjet në asistencë sociale.
E për këtë vendim, ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se me këtë vendim, familjet që janë përfituese të asistencës sociale do të mbështeten për blerjen e druve të zjarrit.
“Secila familje që është përfituese e asistencës sociale, këtë muaj do të ketë edhe mbështetje shtesë të njëhershme për blerjen e lëndës djegëse për ngrohje gjatë dimrit, përkatësisht blerjen e druve të zjarrit.
Në kuadër të mbështetjes së familjeve në nevojë për të tejkaluar dimrin me sa më pak vështirësi, në mbledhjen e sotme të Qeverisë miratuam ndarjen e 5 milionë eurove nga Pakoja Energjetike e Bashkimit Evropian, mbështetje shtesë për familjet në asistencë sociale”, ka shkruar Murati në Facebook.
Murati ka shtuar se mbështetja financiare për këtë masë vjen nga Pakoja Energjetike e financuar nga Bashkimi Evropian, e cila kap vlerën 75 milionë euro në total.
“Gjate ditëve në vijim do të bëhet verifikimi i listave dhe MFPT do të njoftojë me kohë edhe përfituesit në lidhje me zbatimin e kësaj mase”, ka deklaruar ministri.