Pas shumë akuzave, reagon Nexhat Krasniqi: Po me akuzoni pa fakte
Nexhat Krasniqi, i cili rishtazi u emërua përkohësisht në pozitën e Drejtorit të Departamentit të Infrastrukturës Rrugore në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka reaguar ndaj kritikave të shumta kundrejt këtij emërimi.
Pas shumë akuzave në drejtim të tij, Krasniqi ka dal me reagim në Facebook.
Krasniqi në postimin e tij tha se nuk e di arsyen pse ShBA e kanë futur në listen e sanksioneve pasi që rasti i vitit 2005 për të cilim është akuzuar, tashmë është gjykuar.
“Unë edhe mund të jem i papërshtatshëm për Amerikën për të cilën gëzoj shumë respekt. Unë nuk e di arsyen për shkak se rasti është i vitit 2005, e që është rast i gjykuar.Çuditërisht unë kam nënshkruar kontrata me kompaninë prestigjioze amerikane Bechtel në vitin 2010 dhe 2014 për dy autostrada, duke pasur relacione shumë korrekte dhe profesionale me ta.”, u shpreh ai fillimisht.
Tutje, ai shtoi se kurrë nuk është dënuar për korrupsion e marrje ryshfeti.
“Ndoshta në media e nga pseudo-gazetar të ndryshëm jam dënu për korrupsion edhe për marrje ryshfeti..”
“Ndoshta nga politikanë të ndryshëm jam dënu për korrupsion edhe për marrje ryshfeti.”
“Çka është fakt, e për të cilin mundeni me verifiku në krejt institucionet e drejtësisë të Republikës së Kosovës edhe ato ndërkombëtare, është kjo: Në Republikën e Kosovës, ku jetoj e punoj prej kur kam lind, KURR në jetë nuk jam dënu për korrupsion e as për marrje rryshfeti…. Jam hetu, jam vezhgu e jam akuzu nga prokuror Amerikan, nga prokuror ndërkombëtar të Eulexit, nga prokuror Shqiptar të të gjitha prokurorive… Jam gjyku e ri-gjyku nga gjykatës Amerikan, nga gjykatës ndërkombëtar te Eulexit, nga gjykates Shqiptarë të të gjitha gjykatave.”
“KURR KURR KURR asnjëherë nuk jam dënu as për korrupsion e as për marrje të ryshfetit…”, tha ai.
Në fund të postimit, Krasniqi sqaroi rastim e vitit 2005 për të cilin është gjykuar.
“Sa i përket rastit te vitit 2005 për të cilin po thuhet se paskam keqpërdorur pozitën time publike duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e Ndërtimit të Parkut Industrial në Komunën e Drenasit nga kompania operuese Eltoni, që të kuptohet saktë nga të gjithë po e publikoj Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Eulexit për këtë rast .”
“Kurr mos u ndalni duke folur e duke shkruar zi e terr për mua, natyrisht pa asnjë fakt, veç mundohuni të paktën nganjëherë t’a bëni punën e gazetarit me etikë e profesonalizëm. Faleminderit!”, përfundoi Nexhat Krasniqi.