Porositë e dëmshme të Thaçit e Haradinajt
As Hashim Thaçi, as Ramush Haradinaj nuk kanë vija të kuqe. I pari në dialogun me Serbinë, e i dyti në veprimet e dëmshme brenda vendit. Kërkojnë të mos dërgohen porosi të gabuara nga Kosova në botë, e janë ata që dërgojnë të tilla
Optimizmin për liberalizimin e shpejtë të vizave, kryeministri Ramush Haradinaj këto ditë e shoqëroi me një thirrje. Duke thënë se vendi gjendet në një proces ku duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe seriozë, ai theksoi se është shumë e rëndësishme të mos dërgohen porosi të gabuara nga Kosova. Por, gjatë gjithë këtyre muajve në qeverisje, Haradinaj dhe ekzekutivi i udhëhequr nga ai nga Kosova kanë dërguar jo vetëm porosi të gabuara, por edhe të dëmshme.
Rritja e pagës për veten dhe bashkëpunëtorët e tij është njëra ndër porositë e tilla. Haradinaj dha shembull të keq kur ndërmori këtë veprim, në vend që të përshpejtonte procedimin në Kuvend të ligjit për pagat. Dhe kur për këtë reagoi edhe Bashkimi Europian, nëpërmjet përfaqësueses së vet në Prishtinë, këshilltarë të kryeministrit “ia treguan vendin” asaj, duke e porositur të mos përzihet në këto punë.
Jo vetëm zyrtarë të BE’së, por edhe shumë organizata të tjera dhe shoqëria në përgjithësi kanë kritikuar këtë veprim të Haradinajt. Nëse ai dhe pushtetarët tjerë e kanë gojën plot integrime në BE, atëherë të tilla veprime çojnë në kahje të kundërt.
Siç çojnë në kahje të gabuar veprime të tjera si ai i zgjedhjes së Gent Begollit, një figurë partiake, në pozitën e drejtorit ekzekutiv të Telekomit. Është hipokrizi që, në njërën anë të flasësh për depolitizimin e ndërmarrjeve publike, e në anën tjetër të zgjedhësh në të tilla pozita njerëz partiakë. Pra, jo siç ndodhte rëndom – të afërt me partinë, por zyrtarë partiakë.
Siç është hipokrite të flasësh për reformim të administratës publike, e të vazhdohet me të madhe punësimi i militantëve partiakë nëpër ministri e të tjera institucione. Ndërkohë që reformat e domodoshme mungojnë thuajse në secilin sektor.
* * *
Një ndër shumë porosi të dëmshme nga Kosova e dërgoi edhe presidenti Hashim Thaçi. Në përpjekje për të fituar mbështetjen e domosdoshme të spektrit politik, ai tha se nëse humbet mundësia e dialogimit me Serbinë në funksion të arritjes së një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, atëherë vendi rrezikon të mbetet në pozicion të Palestinës ose Qipros Veriore.
Porosi të tilla të dëmshme dërgohen me qëllim të frikësimit të opozitës, e cila nuk po pajtohet që ai t’i udhëheq bisedimet.
Të gjithë duhet kuptuar se procesi i dialogut fiinal me Serbinë është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe kërkon një koncensus. Por, për mungesën e pajtimit deri tash, përgjegjësinë më të madhe e mban pikërisht Thaçi. Me qasjen e tij përjashtuese e jo unifikuese, ai ka irrituar jo vetëm opozitën, por edhe një pjesë të madhe të shoqërisë, që tek Thaçi shohin njeriun që është në gjendje të bëjë çmos për interesa personale.
Ai është personi që ka udhëhequr në masën më të madhe dialogun me Serbinë dhe marrëveshjet e arritura mbajnë firmën e tij. Ndër to edhe marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që po del të jetë kërkesë kryesore e Serbisë dhe, rrjedhimisht, kompromisi që mund të arrihet me Beogradin. Pra, krijimi i këtij organizmi që nënkupton autonomi praktike në terren për serbët, e që do ta kthente Kosoëvn në shtet jofunksional.
Të dialogosh me Serbinë shtatë vjet me radhë e në fund të përmendësh rrezikun e mbetjes së vendit në pozitën e Palestinës nënkupton se krejt dialogu paska qenë i kotë dhe se kompromiset e deritashme nuk paskan prodhuar efektin e dëshiruar të shkëputjes së Kosovës nga Serbia. Për këtë, përgjegjësinë kryesore e ka Thaçi. Kjo bëhet edhe më e rëndë kur ai përmend mungesën e vijave të kuqe në bisedimet me Beogradin, ndërkohë që Prishtina para se të vazhdojë dialogun do të duhej t’i kishte të qarta vijat e kuqe, platformën e bisedimeve dhe synimet që pretendon t’i arrijë. Nuk ka porosi më të dëmshme sesa të vazhdosh dialogun krye në vete, pa pajtim politik e shoqëror dhe pa vizion e synime të qarta.
* * *
Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim në Komisionin Europian, Genoveva Ruiz-Calavera dha porosi të qarta gjatë vizitës në Prishtinë qoftë për liberalizimin e vizave, qoftë për reformën në administratë.
Ndonjëri nga militantët e rehatuar në institucione, pasi ajo takoi ministrin e Arsimit lëshoi një komunikatë në të cilën shkroi se Calavera ishte drejtoreshë në Drejtorinë e Përgjithshme “për Negocimet e Lagjes dhe Zgjerimit”.
Ky skandal tregon shumë për qasjen e qeverisjes aktuale, tregon shumë për “mendësinë e mahallës” që nënkupton rehatimin në institucione të të tillëve, të familjarëve e militantëve, konsiderimin pronë private të shtetit dhe privatizimin edhe të dialogut. Porosi më të këqija se këto nuk mund të dërgohen nga një vend që rrezikon të mbetet si Palestina. Siç po kërcënon presidenti. Siç po vepron kryeministri.