Vuçiq: Kurti është organizator kryesor i kaosit në Kosovë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka nisur një konferencë të jashtëzakonshme për mediat në Serbi, pas tensioneve të fundit në veri të Kosovës. Në orët e para të së dielës në një sulm u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.
Në një aksion të policisë, pasi sulmuesit u futën në Manastirin e Banjskës, janë vrarë tre sulmues, ndërsa janë arrestuar gjashtë të tjerë. Sipas autoriteteve të Kosovës, të vrarët dhe të arrestuarit janë grup mercenar i organizuar nga Beogradi.
Duke deklaruar se Serbia s’ka kontroll efektiv në Kosovë, Vuçiqi ka shtuar se u është dashur shumë kohë që të kuptojnë se çfarë ka ndodhur në Kosovë.
“Në të vërtetë do të flasim vetëm për atë që ka ndodhur, pastaj do ta bëjmë vlerësimin e kësaj. Mbrëmë rreth orës 2 një grup i serbëve nga Kosova i kanë vendosur dy kamionë në Banjskë pastaj vjen Policia e Kosovës që tenton t’i largojë ato barrikada dhe pason konflikti, ku është vrarë një polic dhe një tjetër është plagosur. Në 8:57 vendkalimet në Jarinjë e Bërnjak janë mbyllur dhe të shtënat kanë vazhduar. Ndonëse për këtë kemi folur çdo herë dhe çdo ditë kam tërhequr vërejtjen që kjo mund të ndodhë nga njerëzit në Kosovë, që nuk kanë dashur ta durojnë terrorin e Kurtit”, ka thënë ai.
Ka deklaruar se që nga nëntori Kurti ka përdorur 62 herë policinë e Kosovës ndaj serbëve në veri.
Vuçiq ka thënë se janë bërë mbi “56 sulme të motivuara politike mbi serbët”.
Vuçiq ka thënë se nuk dëshiron të arsyetojë vrasjen e policit dhe se kjo është për t’u gjykuar.
“Është diçka që askush s’kishte nevojë për këtë, aq më pak populli serb, veçanërisht në këtë moment kur të gjithë e kuptuan se Kurti është organizatori kryesor i kaosit në Kosovë”, ka thënë Vuçiq.
Ai ka thënë se për 1 orë e 20 minuta janë rrethuar “afro dhjetë serbë”.
“Ishin në rrethim të plotë dhe është evidente se është bërë së bashku me forcat ndërkombëtare në aspektin logjistik e është zbatuar një sulm brutal mbi ta”, ka thënë Vuçiq.
Ai ka thënë se ka pyetur pse KFOR-i nuk ka vepruar për të pasur më pak viktima. Por, thotë se “Kurtit i është dhënë leje për të vrarë sa më shumë njerëz”.
Ai ka thënë se dy serbë janë qëlluar nga snajperë nga distanca. Po ashtu ka thënë se është shtënë edhe në drejtim të shtëpive, në të cilën ka pasur “vetëm pleq”.
Ai ka thënë se grupi i serbëve është futur në manastir të Banjskës vetëm “për të kërkuar ndihmë për dy të rinjtë e plagosur”.