ShBA akuzon kompaninë Google se ka shmangur rregullat për të pasur epërsi në kërkimet në internet
Shtetet e Bashkuara argumentuan të martën se Google nuk ka luajtur në bazë të rregullave në përpjekjet e platformës për të mbizotëruar fushën e kërkimeve në internet, duke paguar miliarda dollarë për të eliminuar shanset e rivalëve më të vegjël.
“Ky rast ka të bëjë me të ardhmen e internetit,” tha Kenneth Dintzer i Departamentit të Drejtësisë, i cili po argumenton në këtë rast se që nga viti 2010 Google ka mbajtur monopolin e tij në mënyrë të paligjshme.
Departamenti amerikan i Drejtësisë akuzon kompaninë Google se u ka paguar miliarda dollarë çdo vit kompanive, që prodhojnë pajisje, si Apple, AT&T dhe krijuesve të aplikacioneve e programeve për të siguruar qasje në internetit, si Mozilla, që ta mbajnë hapësirën për kërkim të Google në krye të faqes.
Pa konkurrencë serioze, Google investoi më pak dhe i kushtoi më pak vëmendje çështjeve si privatësia, sipas zotit Dintzer.
Kompania argumenton se tregu jashtëzakonisht i lartë i saj nuk është rezultat i shkeljes së ligjit, por falë faktit se është platformë kërkimi e shpejtë dhe efektive. Po ashtu ajo është falas.
Konsumatorët, sipas avokatëve të kompanisë Google, mund të heqin aplikacionin e Google nga pajisjet e tyre apo thjesht të kërkojnë aplikacionin Bing të Microsoft-it, apo Yahoo dhe DuckDuckGo për platforma të tjera kërkimore. Ata do të argumentojnë se konsumatorët mbështetën te Google për të gjetur përgjigje në pyetjet e tyre dhe janë të kënaqur me rezultatin.
Procesi në një gjykatë federale në Uashington pritet të zgjasë 10 javë dhe do të ketë dy faza. Në fazën e parë, gjykatësi Amit Mehta do të vendosë nëse Google ka shkelur ligjin anti-trust me mënyrën se si e menaxhon pjesën e kërkimit dhe reklamat.
Nëse Google e ka shkelur ligjin, gjykatësi Mehta pastaj do të vendosë se si duhet zgjidhur kjo çështje. Ai thjesht mund të vendosë të urdhërojë Google të ndalojë praktikat, që sipas tij, janë të jashtëligjshme apo mund ta urdhërojë kompaninë Google që të shesë pasuritë e saj.
Kjo betejë ligjore do të ketë ndërlikime të mëdha për kompanitë e mëdha të teknologjisë, që po akuzohen se po blejnë apo se po shtypin konkurrentë të vegjël, por ato e kanë mbrojtur veten nga akuzat e shumta sipas së cilave po shkelin ligjin anti-trust për shkak se shërbimet që u ofrojnë përdoruesve janë pa pagesë, si në rastin e Google, apo jo të shtrenjta, si në rastin e Amazon.com./VOA