Azemi: Punëtorët e ndërtimtarisë më nuk po mashtrohen me një kafshatë bukë
Kosova si kurrë më parë është duke u ndërtuar. S’ka qytet të vendit që nuk shihet ndonjë vend-punishte. Kryesisht po ndërtohen banesa të larta. Por, përkundër këtij vlugu të ndërtimit, një mungesë e madhe ka filluar të ndihet tek fuqia punëtore. Pse po ikin punëtorët nga Kosova, ka treguar kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi.
Çmimi për metër katrorë për banesa në Kosovë është rritur deri 200 euro më shumë. Aktualisht, mesatarja e çmimit të banesave në Kosovë është rreth 1000 euro për metër katror. Për një banesë të re në Prishtinë, varësisht lokacionit, blerësi duhet të paguajë nga 900 euro, 1000 deri në mbi 2.500 euro për metër katror.
Çmimet janë të ngjashme edhe në Prizren, Fushë Kosovë, Ferizaj, Gjilan dhe Pejë.
Për krahasim, një metër katror i një banese në Fushë Kosovë – gjashtë kilometra larg Prishtinës – ka arritur në 650 euro e më shumë gjatë vitit 2022, nga 500 sa ka qenë vitin paraprak. Çmimi atje vazhdon të jetë i njëjtë.
Sektori i ndërtimtarisë nuk do të funksiononte në mungesë të dorës së fuqisë punëtore.
Kjo pasi që të gjitha objektet e banimit i kanë ndërtuar me planet forcën fizike dhe idetë e tyre.
Mirëpo, kohëve të fundit po vërehet dukshëm mungesa e tyre në vendin tonë.
Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka treguar disa nga arsyet e ikjes së punëtorëve në vendet e perëndimit.
“Kamë informacione se janë diku mbi 200 mijë aplikacione nëpër ambasada që janë në Kosovë, bënë me dije që pjesa më vitale dhe pjesa më e kualifikuar e këtyre punëtorëve qëllimin e kanë që të ikin jashtë pasi që edhe pas dy dekadave ne nuk deshëm të ju krijojmë kushte këtyre punëtorëve që ti mbajmë për vete. Ne si Kosovë kemi shpenzuar shumë për këta punëtorë e në veçanti familjet e tyre ku shpesh herë kanë ndarë edhe kafshatën e gojës që fëmijët e tyre ti aftësojnë dhe të shërbejnë në vendin e tyre, por këta më në fund e panë që nuk ka ndonjë perspektivë dhe kanë marrë rrugën e kurbetit.
Azemi po ashtu shqetësues e ka konsideruar faktin se shumë profesionist edhe pse kanë ndalur në pension ende po e ushtrojnë zanatin për shkak se kuadrot kanë ikur dhe nuk ka kush t’i zëvendësoj.
“Asnjëherë nuk e kemi pasur numër më të madh të punëtorëve të cilët kanë dalë në pension dhe prapë merren më çështjet e punëve të tyre të mëhershme në mungesë të punëtorëve adekuat.
Në mungesë të punëtorëve ai thotë se shumë projekte të mëdha të kompanive do të dështojnë.
“Dëmi është shumë i madh sepse shumë projekte që kompanitë e mëdha të ndërtimit i kanë pasur para vetës që ti kryejnë, ata sigurisht që nuk do të mund ti kryejnë pasi që me kapacitetin e punëtorëve me numër shumë të vogël të punëtorëve, ndërtesat dhe objektet nuk punohen vetë dhe grushti më i madh që do të bie është mbi pronarët e kompanive.
Azemi shton se tani në Kosovë punëtorët nuk mund të paguhen “me një copë bukë” si në të kaluarën, prandaj edhe rritet kostoja tek kompanitë.
“Më nuk është ajo fuqia punëtore që ka qenë që është paguar me një copë bukë, tani duhet të financohet shumë më shumë për ta, dhe normal që edhe koston e krijimit të një objekti e ngrit, por prapë se prapë në mënyrë retroaktive e paguan vetë qytetari i Kosovës. /FaktePlus/.