Sokol Halili vret veten
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se Sokol Halili, i dyshuari për vrasjen e shtatzënës 35-vjeçare, ka vrarë veten.
Sveçla ka deklaruar se përkundër negocimit, Halili ka refuzuar të dorëzohet dhe ka vrarë veten.
Tutje, ka thënë se Policia e Kosovës si dhe Inspektoriati Policor i Kosovës do të vazhdojnë hetimet për zbulimin e të gjitha rrethanave të vrasjes së gruas shtatëzënë dhe vetëvrasjes së dorasit
“Pas një pune intenzive të të gjitha njësiteve të Policisë së Kosovës është arritur që të lokalizohet vendndodhja e vrasësit Sokol Halili. Përkundër tentativës së zyrtarëve policor që të negociojnë dorëzimin, dorasi vret veten. Policia e Kosovës si dhe Inspektoriati Policor i Kosovës do të vazhdojnë hetimet për zbulimin e të gjitha rrethanave të vrasjes së gruas shtatëzënë dhe vetëvrasjes së dorasit”, ka shkruar Sveçla.
Gruaja shtatzënë 35-vjeçare është vrarë nga bashkëshorti i saj S.I., të mërkurën në mbrëmje, përpara Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK.
Vrasja e saj ka nxitur reagime të shumta në Kosovë. Të premten në Prishtinë është mbajtur një protestë ku është kërkuar që vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare.
Vrasja e shtatzënës është e dyta e ngjashme brenda pak ditësh në Kosovë. Më 30 nëntor në Prishtinë një grua 63-vjeçare është vrarë me sëpatë nga bashkëshorti i saj, 70-vjeçar.