Magjia e Messit mban Argjentinën në lojë
Përfaqësuesja e Argjentinës ka fituar me rezultat 2-0 ndaj Meksikës në ndeshjen e vlefshme për Grupin C në Kampionatin Botëror “Katar 2022”.
Ekipi i trajnerit Lionel Scaloni ka shijuar fitoren e parë në Botëror, pasi pas humbjes befasuese nga Arabia Saudite, tani ka mposhtur Meksikën në në Lusail Iconic Stadium.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë thuajse të barabartë, me Argjentinën që menaxhoi më mirë lojën, por me raste të pakta dhe asnjë serioze nga të dyja ekipet.
Kështu, pas 45 minutave lojë pa shumë emocion, ekipet shkuan në pushim me rezultat 0-0.
Në pjesën e dytë, Argjentina hyri më fuqishëm dhe me disa ndryshime të kryera në fillim, ndryshuan rrjedhën e ndeshjes, teksa gjeten edhe dy gola.
Goli i parë në këtë ndeshje erdhi në minutën e 64-të me anë të yllit të skuadrës, Lionel Messi, i cili shënoi një supergol nga distanca për 1-0.
Deri në fund të ndeshjes pati edhe disa raste nga të dyja skuadrat, por vetëm Argjentina e gjeti atë.
Ishte Enzo Fernandez (87′), i cili gjithashtu shënoi një gol të bukur pas asistimit të Messit duke vulosur fitoren me rezultat 2-0.
Me këtë fitore, Argjentina renditet e dyta me tri pikë pas Polonisë me katër pikë, ndërsa Meksika zë vendin e fundit me vetëm 1 pikë.
Në ndeshjen e fundit të grupeve, Argjentina luan ndaj Polonisë, ndërsa Meksika përballet me Arabinë Saudite