Lum Lumi i Ali Podrimjes
Nga: Bujar Tafa
Lum Lumi i Ali Podrimjes
Po bëhen dyzet vjet kur poezisë së bukur, që s’njeh kohë e kufij, iu shtua edhe një vlerë e jashtëzakonshme poetike; Lum Lumi i Ali Podrimjes.
Poetët e artistët e mëdhenj, zakonisht, mbahen në mend me kryeveprat e tyre.
Ali Podrimja e ka një fat të tillë.
Me poezinë e tij Podrimja, Lumin e jetës se tij, si qenie reale e të vdekshme dhe fatin e tij jetësor trishtues e bëri të pavdekshëm në art, në poezi.
Duke shkruar për Lumin ai e përjetësoi dhimbjen e tij, e bëri të përbotshme. Ai vdekjen e shndërroi në pavdekësi. Kjo është fuqia e vërtetë e poezisë.
Kjo është fuqia e vërtetë e poetëve të mëdhenj.
Këtë e bëri Ali Podrimja sepse Lum lumi tashmë i ka tejkaluar kufijtë gjeografik e kohor.
Në kujtesën time mbetet e paharruar situata, kur në një orë letrare leximi i vargjeve të Lum Lumit na emocionoi shumë neve që ishim të pranishëm. Që nga ajo kohë, për mua qenësore ishte ta dija, se cila ishte ajo forcë që e shtynte njeriun në aso situata. Ku qëndronte forca e atij shkrimi, forca e asaj poezie.
Më vonë, gjatë studimeve, kur vendosa që Lum Lumit t’i qasem me seriozitetin që i takon, pashë se kërkimi im më çoi në një kohë para shkrimit të poezisë. Në një situatë të tillë që e paraprinte poezinë. Më pëlqeu që atë situatë, atë stad, ta quaja parapoezi, d.m.th situata që e lind poezinë.
Në këtë mënyrë, kur i lexoja e i rilexoja poezitë para sysh më shfaqej poeti, derisa endej spitaleve me terapi e udhëzime në duar, e me dhimbjen e madhe në shpirt për tragjedinë e të birit. Këtu pata vënë re parapoezinë e Ali Podrimjes.
Ali Podrimja, me veprën Lum lumi, është shembull i mirë për një hulumtim të këtij lloji. Është shembull tipik për një analizë krahasuese të raportit mes jetës dhe poezisë.
Lexuesi çdo herë që e hasë prezencën e Lumit në poezi, e ka parasysh situatën para shkrimit të poezisë. Kjo i qartëson atij shumëçka. Ia bënë më të lehtë atë vërtetësi dhe e bënë ta kuptojë më mirë gjuhën e poezisë.
Përmbledhja me poezi Lum Lumi deri më tani, në gjuhën shqipe, është botuar e ribotuar pesë herë.
Gjithmonë më ka interesuar fakti se për çfarë arsye Lum Lumi përjetoi disa ndryshime në botimet e ribotimet në shqip. Duke i parë këto poezi e duke i analizuar pashë se ndryshimet e poezive dhe intervenimet e poetit në botimet e ribotimet e ndryshme, bartim në secilin rast një përvojë të re, një këndvështrim të ri për realitetin, gjithmonë duke ruajtur e duke theksuar bazën kryesore, dhimbjen për Lumin.
Motivet e poezive të Lum Lumit bazohen në ambiente e situata reale. Një perceptim i tillë i realitetit, krahas strukturave të tjera, zbulon edhe botën delikate të poetit. Zbulon pafuqinë e tij për të ndërhyrë në fat. Në këtë pikëpamje spikat frika e poetit për rrethanat në të cilat gjendet. Kjo pasiguri dhe kjo frikë, përveç tjerash, shkakton edhe dhimbje. Prandaj, ndjenja e dhimbjes është e pranishme në tërë këto poezi.
Në të gjitha këto poezi, poeti në një mënyrë njëjtësohet me Lumin, i bënë të përbashkëta dhimbjet. Dhimbjen fizike të fëmijës poeti e shndërron në dhimbje të vetën shpirtërore, e pastaj me shkrim, poetizim të kësaj situate, ajo dhimbje bëhet universale, bëhet e të gjithëve.
Në të tëra vargjet poeti është përcjellës, kronikan poetik, i fazave të sëmundjes së të birit. Kjo poezi është një fotografi reale e një ambienti real, ndërsa poeti është ai që këtë fotografi e veshë me emocion, me shpirt.
Në shprehjen e tij Podrimja, dilemave rrallë u jep autenticitet të caktuar kohor. Ai problemin e zgjeron dhe e universalizon. Përmes kësaj mënyre poeti shpreh ftesën dhe gatishmërinë e tij për të promovuar humanizmin, paqen e harmoninë.
Ai përherë ka synim një dëshirë, një ngarendje, një ecje para, dhe në emër të kësaj perspektive, ai i radhitë idetë e përvojat të cilat duhet t’i ketë parasysh ai të cilit i drejtohet. Përveç kësaj, atë që do ta veçojë poeti është ai kontrast i madh e i thellë, por edhe i tmerrshëm, mes pastërtisë njerëzore, përballë vrazhdësisë së fatit dhe reales. Nga këto përballje, ndeshje situatash, pra kontrastesh, vazhdimisht, lind poezia e tij. S’do mend se realiteti që figuron këtu shumë pak është human. Ai realitet është plotë amoralitete, devijime e anomali të tjera të ndryshme, të cilat bien ndeshë me botën e poetit.
Në këtë poezi poeti herë herë zhvesh nga maskat pseudovlerat, por ndodh që poeti këto pseudovlera, këto devijime e degradime nuk ka nevojë t’i demaskojë fare sepse ato faktikisht janë të demaskuara. Poeti ato situata vetëm i paraqet me stilin e tij ironik. Pastaj, çdo gjë del e qartë.
Poezia e Lum Lumit, përgjithësisht, është metaforë e fuqishme e një kohe, e një situate dhe e një mjedisi. Kjo poezi është, po ashtu, pasqyrë poetike e një realiteti të përjetuar. Atë realitet që e ofron poeti, poetik e bënë stili e figuracioni në tërësi tejet i pasur.
Lum lumi me motivet, figurat, ndjeshmërinë, përgjithësisht, përfaqëson risi në shprehjen poetike.
Përmes përkthimeve të shumta të poezive të Lum Lumit, botës iu tregua se edhe poezia shqipe, përmes poetëve të saj të mëdhenj, ka aftësinë ta pasurojë poezinë e përbotshme me një qasje të re, me një artikulim të ri, e me një stili të veçantë poetik.