Lulzim Tafa nderohet me urdhrin “Yuri Fitimtar” nga Patriarku i Shenjtë i Ukrainës Filaret
Patriarku i Shenjtë i Ukrainës Filaret, e ka nderuar me urdhrin “Yuri i shenjtë Fitimtar” poetin e shquar kosovar, Lulzim Tafa.
Kujtojmë se, edhe më parë Tafa, ishte nderuar nga disa institucione akademike e kulturore në Ukrainë, siç ka qenë ajo me titullin Doktor “Honoris Causa”.
Lulzim Tafa po ashtu u bë i njohur me përpjekjet kundër luftës me poezi dhe duke u shkruar letra shumë poetëve të njohur në Rusi dhe Ukrainë, me lutje që të përdorin autoritetin e tyre kundër kësaj lufte ende pa filluar ajo.
Për nderin që iu dha poetit, ka shkruar edhe vet Tafa, përmes një postimi në “Facebook”. Ai është shprehur falënderues dhe i nderuar.
“Të nderuar miq, me dekretin Nr.702 Patriarku i Shenjtë i Ukrainës Filaret më paska nderuar me urdhrin “Yuri i shenjtë Fitimtar”. Patriarku është udhëheqësi shpirtëror i miliona Ukrainasve dhe personaliteti me ndikimin më të madh në Ukrainë, bashkë me Presidentin Zelenski. Para kësaj, unë jam nderuar edhe nga disa institucione akademike e kulturore atje. Unë nuk bëra asgjë për Ukrainën, vetëm shkrova disa vargje dhe iu drejtova poetëve me disa letra, kaq munda dhe kaq bëra. Fjala ishte e vetmja armë që kisha për ta drejtuar kundër kësaj lufte. Populli i Ukrainës po përjeton momente të vështira dhe duket se edhe fuqia e fjalës u ka mjaftuar për të më bërë gjithë këto nderime. Një mik imi poet në Kiev më tha se gjatë liturgjisë kryesore në lutjet e javës, në mesin e personaliteteve botërore, për të cilët besimtarët janë lutur atje, ka qene edhe emri im. Kjo më ka nderuar më shumë se çdo gjë tjetër”, ka shkruar në “Facebook” Tafa.