Në Ditën e Fëmijëve, Qeveria themelon Komision për Memorialin e fëmijëve të vrarë në luftë
Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, Qeveria e Kosovës ka themeluar Komisionin Ministror për hartimin e projektit “Memoriali i fëmijëve të vrarë gjatë luftës 1998-99 në Kosovë”.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se këtë komision do ta drejtojë vetë ai dhe se kjo çështje do të trajtohet me ndjeshmëri.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve përkujtojmë fëmijët që u vranë dhe u masakruan gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në këtë ditë propozoj të themelohet Komisioni Ministror me qëllim të hartimit dhe përgatitjes së projektit “Memoriali i fëmijëve të vrarë gjatë luftës 1998-99 në Kosovë””, tha Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë.
Anëtarë të këtij komisioni janë ministrja e Drejtësisë, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Ky komision do të drejtohet nga unë, do të trajtojë këtë nismë me seriozitetin dhe ndjeshmërinë që e meriton, është detyrë e secilit prej nesh”, tha Kurti.