Kryeinspektori i AKI-së ftohet si dëshmitar nga Specialja
Kryeinspektori i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë Burim Ramadani, është ftuar nga Gjykata Speciale si dëshmitar.
Në njoftimin e publikuar nga AKI-ja thuhet se “Ramadani urdhërohet të paraqitet si dëshmitar për t’u marrë në pyetja nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në datën e caktuar, dhe në fletëthirrje nga ai është kërkuar që “të ofrojë detaje në lidhje me lokacionin e tij fizik dhe gjeografik gjatë kohës se luftës, dhe të ofrojë dokumentacion përfshirë këtu edhe fotografi dhe të dhëna tjera nga periudha nga 1 janar 1998 deri 31 dhjetor 2000”.
“Ramadani është plotësisht i vetëdijshëm për obligimet ligjore në raste të këtilla, sikurse edhe që beson se ky është një gabim teknik dhe si i tillë do të qartësohet më tutje”, thuhet më tej në njoftimin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, transmeton Klankosova.tv.
Burim Ramadani ka lindur në vitin 1981 dhe për kohën kur është ftuar që ai të dëshmojë ka qenë 17 deri 19 vjeçar.