Kërcënimi me bombë, Policia s’gjen gjë te Rektorati i UP’së
Rektorati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka pranuar sot një kërcënim me bombë. Ky kërcënim u është dërguar atyre përmes një e-maili anonim. Policia sapo ka njoftuar se pas kryerjes së kontrollit të vendit të ngjarjes, nuk kanë hasur në ndonjë mjet shpërthyes.
Forca të shtuara policore dhe autoambulanca janë parë sot para hyrjes së Rektoratit të Universitetit të Prishtinës. Në adresë të këtij institucioni, ka shkuar sot një kërcënim për bombë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka konfirmuar për se kanosja e dyshimtë ka ardhur përmes një emaili.
“Rreth orës 16:00, është pranuar informata për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Rektoratin e Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë. Informacionet e para flasin se kanosja e dyshimtë ka ardhur përmes postës elektronike”, tha Borovci për Reporteri.net.
Ai tha se policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën.
Për rastin u deklarua edhe Rektori i UP’së, Naser Sahiti.
“Kemi pranuar një e-mail anonim që është vendosur një bombë dhe e kemi dërguar informacionin në polici dhe tani policia e kanë rrethuar vendin dhe janë duke e trajtuar rastin”, tha Sahiti.