Ndryshimi i klimës do të shkaktojë pandemitë e ardhshme
Merrni tregun e Vuhanit në Kinë, një shkaktar i mundshëm i pandemisë së Covid-19, dhe shtrijeni atë në një nivel planetar: Ndryshimi i klimës po e transformon Tokën në një pellg të madh patogjenësh në ajër të hapur, gati për të kërcyer nga njëra kafshë në tjetrën.
Rritja e temperaturave, po detyron gjithnjë e më shumë specie të migrojnë në zonat tashmë të pushtuara nga njeriu, duke favorizuar kontaktet me kafshët e tjera dhe shkëmbimin reciprok të mijëra viruseve. Pandemia e ardhshme, do të lindë pikërisht nga këto kontakte, thotë një artikull i botuar së fundmi në revistën “Nature”, që shqyrton marrëdhëniet midis ngrohjes globale dhe të gjithë viruseve që kolonizojnë gjitarët.
Sipas shkencëtarëve në Universitetin Xhorxhtaun në Uashington, kafshët e afta për të strehuar rezerva të rëndësishme virale, dhe po ashtu për të rrugëtuar në distanca të mëdha –siç janë lakuriqët e natës – për të gjetur habitatin e tyre në klima më pak të nxehta, do të ndeshen për herë të parë me gjitarë të tjerë.
Prandaj, patogjenët e aftë të shkaktojnë një pandemi, si Ebola ose koronaviruset , do të kenë mundësinë të kolonizojnë zona të reja dhe të shumohen tek bujtësit e rinj, që mund të veprojnë si një trampolinë për tek njerëzit.
Destinacionet e reja të kafshëve, do të përkojnë gjithnjë e më shumë me zonat me një densitet të lartë të popullsisë njerëzore, duke u bërë vatrat e reja të nxehta për një përhapje të mundshme të pandemisë. Ky proces është tashmë duke u zhvilluar tashmë në një botë që ka arritur një temperaturë +1.2 ° C më të lartë se nga epoka para-industriale, dhe kur njeriu e ka tejkaluar konsumin e habitateve dhe burimeve.
Por studimi shkon një hap më tej, dhe sugjeron se kriza klimatike do të bëhet faktori kryesor i rrezikut për shfaqjen e pandemive të reja, madje më shumë se sa shpyllëzimi , trafikimi i kafshëve ekzotike apo përhapja intensive e blegtorisë dhe bujqësisë.
“Ne shqetësohemi për tregjet, sepse kontakti me kafshë që nuk janë të shëndetshme, dhe kombinimet e panatyrshme, krijon mundësinë e shfaqjes graduale të sëmundjeve të reja. Ashtu si SARS që kaloi nga lakuriqët e natës tek vjedulla, dhe nga vjedulla tek njerëzit.
Por tregjet nuk janë më vende kaq të veçanta. Pasi me ndryshimin e klimës, ky proces do të bëhet realitet për çdo vend natyror, thotë Kolin Karlson, autori kryesor i studimit.
Përveç shkaktimit të pandemisë së ardhshme, shkëmbimi i viruseve mund të kërcënojë shëndetin e kafshëve, si dhe të rrezikojë ruajtjen e specieve të përfshira. Prandaj, do të jetë inevojshëm kombinimi i studimeve mbi migrimin e kafshëve për shkak të ngrohjes globale,me një mbikëqyrje në kohë të rreziqeve epidemiologjike të lidhura me të.
“Kur një lakuriq nate brazilian udhëton deri në rajonin e Apalasheve në SHBA, ne duhet të shqetësohemi se cilët virusë janë duke e shoqëruar atë. Vetëm duke u përpjekur të identifikojmë në kohë reale këto kapërcime midis specieve, do të jemi në gjendje të parandalojmë që ky proces të përkthehet në përhapje të tjera apo pandemi të tjera”- thekson Karlson. / Focus – Bota.al