Kryeministri italian i kërkon Bashkimit Evropian ri-forcimin e negociatave me Kosovën
Kryeministri i Italisë, Mario Draghi, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të dalë më i fortë nga sfidat e shkaktuara si rezultat i luftës në Ukrainë që erdhi nga sulmet e vazhdueshme nga Rusia.
“Ne duhet të integrojmë plotësisht vendet që kanë aspirata evropiane”, ka thënë kryeministri italian.
Ai shprehu mbështetjen e Italisë për “hapjen e menjëhershme të negociatave të anëtarësimit” me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe për negociatat e përforcuara me Kosovën dhe Bosnjën.
“Ne jemi në favor të anëtarësimit të të gjitha këtyre vendeve në Bashkimin Evropian dhe duam gjithashtu që Ukraina të jetë anëtare e Bashkimit Evropian”, deklaroi kryeministri italian.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë gati të nisin procesin e anëtarësimit që nga viti 2020, por kanë qenë në harresë për shkak të kundërshtimeve nga Bullgaria dhe kushteve të vendosura nga Gjermania dhe Holanda.