Pse edukimi mediatik është i domosdoshëm për të rinjtë?
Këtu janë 10 arsye pse Media Literacy (Edukimi Mediatik) është i domosdoshëm dhe duhet integruar në kurikulat shkollore:
1. Edukimi mediatik i inkurajon të rinjtë të ngrejnë pikëpyetje, peshojnë, kuptojnë dhe vlerësojnë kulturën e tyre multimediale. Ai i mëson të bëhen konsumatorë dhe përdorues aktivë, të angazhuar të medias.
2. Edukimi mediatik e sjell botën në klasë, duke u dhënë qasje direkte dhe rëndësi lëndëve tradicionale si historia, anglishtja, shëndetësia, qytetaria dhe artet krijuese. Ai shërben si një urë e përsosur për integrimin e lëndëve dhe studimeve ndërdisiplinore.
3. Edukimi mediatik mishëron dhe çon përpara pedagogjinë aktuale, e cila thekson të mësuarit me në qendër studentin, njohjen e inteligjencës së shumëfishtë dhe analizën dhe menaxhimin – në vend të thjesht ruajtjes – të informacionit.
4. Edukimi mediatik bazohet në qasjen e shëndoshë pedagogjike të fillimit të të mësuarit aty ku janë fëmijët. Media – muzika, komiket, televizioni, videolojërat, interneti dhe madje edhe reklamat – janë një pjesë e jetës që të gjithë fëmijët e shijojnë. Mediat krijojnë një mjedis të përbashkët dhe, për rrjedhojë, janë katalizatorë për të mësuarit.
5. Edukimi mediatik i inkurajon të rinjtë të përdorin mjetet multimediale në mënyrë krijuese, një strategji që kontribuon në “të kuptuarit duke bërë” dhe i përgatit ata për një fuqi punëtore që kërkon gjithnjë e më shumë përdorimin e formave të sofistikuara të komunikimit.
6. Në një shoqëri të shqetësuar për rritjen e apatisë së të rinjve ndaj procesit politik, edukimi mediatik i angazhon të rinjtë në çështjet e “botës reale”. Ai i ndihmon të rinjtë ta shohin veten si qytetarë aktivë dhe kontribues potencialë në debatin publik.
7. Në një shoqëri të larmishme dhe pluraliste, studimi i medias i ndihmon të rinjtë të kuptojnë se si portretizimet mediatike mund të ndikojnë në mënyrën se si ne i shohim grupet e ndryshme në shoqëri: ai thellon të kuptuarit e të rinjve për diversitetin, identitetin dhe dallimet.
8. Edukimi mediatik ndihmon rritjen personale dhe zhvillimin social të të rinjve duke eksploruar lidhjet midis kulturës popullore – muzikës, modës, programeve televizive, filmave dhe reklamave – dhe qëndrimeve të tyre, zgjedhjeve të stilit të jetesës dhe imazhit për veten.
9. Edukimi mediatik i ndihmon fëmijët të kritikojnë përfaqësimin mediatik, duke i mësuar ata të bëjnë dallimin midis realitetit dhe fantazisë, ndërsa krahasojnë dhunën mediatike dhe dhunën në jetën reale, heronjtë e medias dhe heronjtë e jetës reale, dhe modelet e rolit të medias dhe rolet e pritshmëritë në jetën reale.
10. Teksa shumica e studentëve i drejtohen së pari Internetit për kërkime, edukimi mediatik është një komponent thelbësor i edukimit për Teknologjinë e Komunikimit dhe Informacionit, duke ndihmuar të rinjtë në zhvillimin e aftësive dhe strategjive të të menduarit kritik për optimizimin e kërkimeve, vlerësimin dhe vërtetimin e informacionit dhe shqyrtimin e çështjeve të plagjiaturës dhe të drejtave të autorit./ Marrë nga Bota.al